Në një shkrim në gazetën “Zëri i Rinisë” me titull “Në pritje të nesërmes”, shkruar nga Erind Pajo përshkruhet edhe një nxënëse e gjimnazit Qemal Stafa në Tiranë, Argita Berisha.
Artikulli është botuar më 30 qershor 1990 dhe është nxjerrë nga arkivi prej gazetarit Ramiz Lushaj.
Më poshtë është shkrimi:
ARGITA BERISHA,NJË E RE ME AMBICIE, NJOHURI E PASIONE TË MËDHA
…”Dhe pastaj Aida (Zeneli) të përmend emra maturantësh si Alban Hasanhoxha, Edvin Prifti, Argita Berisha etj. që vazhdimisht janë dalluar mes shokëve për nivelin e lartë të njohurive, të dijeve. Ata janë edhe fitues të vendeve kryesore në olimpiadat e shkencave ekzakte për këtë vit dhe për vitet e kaluara.
Të bën përshtypje fakti se Argita, pavarësisht se zuri vendin e tretë në olimpiadën e kimisë, ka kërkuar të vazhdojë studimet në një nga degët e fakultetit të filologjisë. E takon atë dhe sheh se ke të bësh me një të re me njohuri dhe pasione të mëdha, jo vetëm për shkencat ekzakte, por edhe për ato shoqërore.
-Historia më tërheq shumë, thotë ajo, por gjatë viteve të shkollës kam punuar mjaft edhe në shkencat ekzakte. Sivjet u futa në olimpiadën e kimisë jo me ambicien për të zënë ndonjë vend, por më tepër për të provuar veten, për të provuar se ç’isha e zonja të arrija.
Kjo është tepër domethenëse: pasionet për degë të veçanta nuk e bëjnë të talentuarin të ndjehet inferior në degët e tjera, apo t’i shoh ato me nënvleftësim. Përkundrazi edhe aty ai që është i zoti arrin rezultate…