Influenca mbi trafikun e drogës dyshohet se çoi në ekzekutimin e Gazmend Çollakut, pas rrëmbimit mbrëmjen e mërkurës. Nga hetimet
e kryera mbi krimin e radhës në Durrës është bërë lidhja e krimit me
masakrën e ndodhur më 20 dhjetor, pranë të njëjtit vend ku u
rrëmbye 34vjeçari.
Burime nga grupi hetimor dyshojnë se viktima kishte njohje me Ervin
Kodrën dhe Endri Caushajn, dy të rinjtë e ekzekutuar mbrëmjen e tri
javëve më parë në qytetin e Durrësit, para hyrjes së Drejtorisë së
Portit.
Nga ana e policisë po hetohet se krimi ka lidhje me çështjen e trafikut
të lëndëve narkotike brenda dhe jashtë vendit. Kjo pistë ka bërë
lidhjen kryesore mes vrasjes së Gazmend Çollakut dhe ekzekutimit të
dyfishtë të Kodrës dhe Caushajt. Hetimet kanë zbuluar se Çollaku dhe
Kodra, të dy banorë të qytetit të Durrësit dhe afërsisht të një moshe,
kanë qenë shokë mes tyre dhe ishin të implikuar në rrjetin e
narkotikëve.
Këtyre fakteve u është mëshuar më tepër nisur nga koha e afërt e
ekzekutimit të miqve të vjetër, por dhe rrethanat e krimit. Që nga
koha e vrasjes së Kodrës dhe Caushajt, më 20 dhjetor, kishin kaluar
pak ditë.
Ekzekutimi i tyre u bë pak metra larg vendit ku u rrëmbye, para se të
qëllohej për vdekje, Gazmend Çollaku. Duket se autorët e kanë pasur
synimin e tyre vrasjen e personit të tretë të grupit, këtë herë duke e
bërë eliminimin e tij fizik jo në mes të qytetit, por në një zonë tjetër,
ku trupi i viktimës mund të gjendej kollaj.
Dyshohet se edhe makinat e përfshira në dy ngjarjet të jenë të
njëjtat. Në të dyja ngjarjet, autorët kanë përdorur makinë tip “Audi”
të errët. Njëra prej kamerave të portit ka fiksuar pamje ku, pas
vrasjes së 20 dhjetorit, një “Audi” u largua me shpejtësi nga vendi i
ngjarjes dhe tentoi të futej në hyrjen numër dy, e cila përdoret vetëm
për të dalë nga porti, por pastaj iu drejtua Urës së Dajlanit, i ndjekur
nga një “Benz” me ngjyrë të errët. Edhe autorët e rrëmbimit të
Çollakut u paraqitën me “Audi A6” të zi.