Kryeministri Edi Rama ka kujtuar edhe një herë se pas përfundimit të stadiumit “Loro Boriçi” do të nisë puna për ndërtimin e “Arenës Kombëtare”.
Për shtëpinë e Kombëtares, që do të ngrihet në të njëjtin vend ku ndodhet “Qemal Stafa” është folur shumë kohët e fundit, duke parashikuar edhe prishjen e stadiumit legjendar të futbollit shqiptar me fillimin e 2016.
“Kemi filluar bashkëpunim me FSHF për transformimin e infrastrukturës së stadiumeve tona dhe faktikisht është në përfundim stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa jemi shumë afër për nisjen e punës për “Arenën Kombëtare” në Tiranë, që do të jetë pa diskutim një nga stadiumet më të bukura në Europë, për një nga skuadrat kombëtare, që është në finalet e Europianit të Francës, kombëtares kuqezi” – tha kryeministri Rama në konferencën e fundvitit.
“Arena Kombëtare” mendohet të ketë një kapacitet rreth 22 mijë vendesh të ulura. Premtimet për ndërtimin e saj ekzistojnë prej vitesh, ndërsa muajin e kaluar aty u zhvillua miqësorja Shqipëri – Gjeorgji, si e fundit e Kombëtares në “Qemal Stafa”.