Personi që mori peng 4 ditë dhe përdhunoi 17 vjeçaren shqiptare në Napoli është një person me precedentë penalë. Besnik Barashima 42 vjeç rezulton se ka qenë i dënuar me 1 burg për trafik të qenieve njerëzore. Por Gjykata e Tiranës e ka konvertuar këtë dënim në gjobë. Trafikanti është lënë i lirë nga drejtësia shqiptare për të kryer një tjetër krim.
Ngjarja
Adoleshentja kishte shkuar për të festuar Krishtlindjen tek të afërmit e saj në qytezën Vilarika pranë Napolit. Ajo u rrëmbye dhe u mbajt e mbyllur për 4 ditë me qëllim shfrytëzimin si prostitutë. Autori është 42-vjeçari Besnik Barashima, i cili është vënë tashmë në pranga nga policia italiane dhe do të përballet me akuzën e sekuestrimit të personit, ushtrimit të dhunës seksuale dhe shfrytëzimit për prostitucion të minorenëve.
Siç bëjnë të ditur mediat italiane, 17-vjeçarja shqiptare u rrëmbye më 21 dhjetor në Napoli pasi kishte dalë për të bërë një shëtitje, prej të cilës nuk u kthye. Kjo detyroi të afërmit të denoncojnë zhdukjen e saj.
Policia ra në gjurmë të 17-vjeçares, në momentin kur familjarëve u bëhet e ditur përmes disa miqve, se vajza kërkonte pasaportën e saj. Rastin e marrin në dorë agjentët e fshehtë të policisë, të cilët të veshur si civilë shkojnë me familjarët e saj për të dorëzuar pasaportën tek vendi ku ishte lënë një takim me dy gra ndërmjetëse mes familjarëve dhe “të njohurve” të cilëve do tu dorëzohej dokumenti i identifikimit.
Gjatë ndjekjes, policia zbuloi vendndodhjen e vajzës dhe e liroi ditën e Krishtlindjes. Ajo mbahej e pangrënë dhe e keqtrajtuar në një shtëpi të braktisur në fshatin Kastel Volturno. Nga hetimet rezultoi se rrëmbyesi ishte bashkëkombasi i saj Besnik Barashima, i cili kishte për qëllim ta trafikonte si prostitutë.