Në seancën e sotme plenare, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka paraqitur para Kuvendit propozimin për amnistinë e 700 deri në 1000 personave të dënuar apo që ndodhen në paraburgim, duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe problemin e mbipopullimit të burgjeve.
“Kjo është një nismë ligjore kushtetuese dhe me natyre humane. Është arsye kushtetuese dhe ligjore dhe ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut të personave të dënuar apo që ndodhën në paraburgim”, tha ministri. Manjani duke iu referuar shifrave u shpreh se kapaciteti i burgje është 5484 persona ndërsa në burgje ndodhen 6314 persona. Nga ky numër shtoi ai më shumë se gjysma janë në paraburgim. “Sistemi ynë i ndjekjes penale është në kolaps ose afër kolapsit ndaj duhet reforma në sistemin e ndjekjes penale sepse na prodhon më shumë të paraburgosur sesa të burgosur”, tha ai.
Ministri u shpreh se duhen më shumë gjykime të drejtpërdrejta kur kapen në flagrancë, gjë e cila është e parashikuar në ligj dhe duhet zbatuar më shpesh sesa është zbatuar deri më sot. Manjani e mbylli fjalë ne tij duke thënë se, “ky parlament do të jetë realisht i nderuar që në këtë fund viti të prezantojë këtë dhuratë për personat e dënuar”.
Por, kreu u grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili nuk pranoi që miratimi i aminstrisë nga Kuvendi të cilësohet si “dhuratë” si dhe u shpreh se nuk do ta votonte nëse bëhet vetëm për të zgjidhur problemin e mbipopullimit. “Nuk do ta votoja nëse do të ishte vetëm për të pasur më pak të burgosur. Nuk e pranoj termin një dhuratë për kohë festash”, deklaroi Vasili në fjalën e mbajtur pas Manjanit.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri shprehur rezerva për projektligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë duke thënë se amnistia nuk përfshin personat e futur në burg për shkak të vjedhjes së energjisë elektrike. “Amnistia nuk përfshin ata që ndodhen në burgje për vjedhjen e energjisë. ata janë armiqtë e këtij shteti. As falje dhe as mëshirë nuk ka”, tha Strazimiri. / Panorama