“Një model i ndershëm dhe i rregullt i sipërmarrjes” e cilësoi Shkëlqim Cani, kompaninë Omega Pharma Group, 18 ditë pasi pronarin e saj, Nadir Caushollin e arrestuan, të akuzuar për skemën e vjedhjes së 2.2 milion eurove nga fondet shtetërore.
Në një letër të firmosur nga vetë ministri, ai i shpreh mirënjohjen e qeverisë, në përfundim të aksionit kundër informalitetit.
ABC Neës siguroi letren, që ministri Cani dërgoi më 17 nëntor babait të të arrestuarit, tashmë me detyrën e administratorit të kompanisë “Omega Pharma Group”.
“Përmes kësaj letre dëshiroj t’iu shpreh mirënjohjen e sinqertë për promovimin që i bëni modelit të ndershëm dhe të rregullt të sipërmarrjes në Shqipëri.
Lufta që qeveria jonë i ka shpallur informalitetit, nuk synon vetëm mbledhjen e më shumë kontributeve dhe të ardhurave, por, në radhë të parë, kërkon të krijojë kushtet e konkurrencës së ndershme, ku të gjithë sipërmarrësit trajtohen në mënyrë të barabartë përpara rregullave dhe ligjit”, shkruan ministri i Financave.
Kur letra mbërriti në kompani, “Modeli i ndershëm” ishte në qelitë e paraburgimit. Letra e Shkëlqim Canit u dërgua 18 ditë pas arrestimit. Çausholli u prangos, si pjesë e një skemë mashtrimi me fondin e ilaçeve të rimbursueshme. Plot 2.2 mln euro te vjedhura nga shteti nuk mjaftuan që Shkëlqim Cani ta përjashtonte Omega Pharmën nga bizneset e ndershme, që duhen falenderuar.
“Unë dëshiroj jo vetëm t’iu falënderoj për kontributin që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni përmes taksave që paguani, por edhe t’ju inkurajoj që të vazhdoni të respektoni institucionet shtetërore.
Unë jam besimplotë se vetëm duke luftuar informalitetin pa kompromis, ne do të arrijmë të nxisim edhe më shumë zhvillimin ekonomik e do të krijojmë sëbashku një mjedis sa më të përshtatshëm për të bërë biznes.” Shkruhet në letrën që u shpërnda për shumë biznese të tjera të mëdha.
Nadir Çausholli u arrestua më 31 tetor të këtij viti, pasi dyshohet se përfitoi me kompaninë e tij 2.2 milion euro nga fondi i ilaçeve të rimburësueshme, me anë të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “mashtrimit”. Për këtë skemë mashtrimi, ai ndodhet në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” për dy akuza.
Nuk dihet kur u njoftua Çausholli për lëvdatat dhe mirënjohjen e Shkëlqim Canit, por burime nga gjykata thanë se letra e ministrit, fatmirësisht, nuk përbën provë në sallën e gjyqit/ABCNEWS