Bëhet fjalë për një hetim të nisur që prej vitit 2014 nga kjo prokurori pasi dy kompani të huaja si ajo Panameze “Wallis Trading INC” dhe ajo Holandeze “Trafigura Beheer Bv” kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër kundër biznesmenit shqiptar të naftës Rezart Taçi.
Kallëzimi është bërë për tre akuza si ajo e “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Nga të dhënat që ka siguruar gazeta “Shqiptarja. com” mësohet se biznesmeni shqiptar Taçi, ka pasur marrëveshje tregtare që prej vitit 2009 me dy kompanitë e lartpërmendura, marrëveshje këto që sipas autoriteteve zvicerane kanë sjellë dëme ekonomike në miliona euro ndaj dy kompanive kallëzuese, të cilat kanë si aktivitet tregtar energjinë dhe naftën.
Rezulton se prokuroria e Gjenevës në datën 5 maj 2014, ka dërguar në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme një letërporosi, duke kërkuar ndihmë nga homologët shqiptarë, pasi një pjesë e veprimtarisë kriminale dyshohet se Taçi e ka kryer në vendin e tij, Shqipëri.