Vetëm një ditë pas raportit të publikuar nga Banka Botërore, ku Shqipëria renditet në pozicionin e 97- të, si një vend aspak i favorizuar për të bërë biznes, nga Hong Kongu, ku ndodhet në Forumin Ekonomik, Kryeministri Rama lëshon deklaratën më paradoksale që mund të mendohet në raste të tilla: “Shqipëria ofron për investitorët e huaj avantazhe krahasuese edhe sa i përket pozicionit gjeografik, sistemit fiskal, kostos së punës, por edhe klimës pozitive në rajon.Të investosh në Shqipëri nuk do të thotë thjesht të investosh në Shqipëri, por të investosh në një treg shumë më të gjerë dhe të kesh potenciale më të mëdha zgjerimi në një zonë që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor”. Kjo deklaratë e Ramës duket se ka tentuar t’i tundojë binzesmenët e huaj për të investuar në Shqipëri, në një kohë kur raporti “Doing Business 2016”, bën me dije se në raport me vitin e kaluar, Shqipëria ka humbur 35 vende në pozoicionim. Por cilat janë kriteret që e pozicionojnë Shqipërinë si vendin më të keq të Ballkanit për të bërë biznes? Taksat, lejet e ndërtimit dhe energjia elektrike janë shkaktarët kryesorë të këtij pozicionimi. Por Kryeministri Rama mendon ndryshe: “Kemi 2 vjet që përpiqemi të mbjellin farën e një hapi të rëndësishëm në aspektin e investimeve të huaja. Shenjat e para janë të qarta”.