Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në shkollën Faik Konica në Prishtinë.
Abdixhiku ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të votojnë për të vendosur për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.
“Ju falenderoj të gjithëve për prezencën tuaj dhe shërbimin që po bëni në këtë ditë të demokracisë. Është ditë e mirë, ditë e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në votime për fatin e Kosovës në 4 vitet e ardhshme. Është ditë feste, zgjedhjet janë gjithmonë festë. Le të angazhohemi për një ditë demokratike”,- tha Abdixhiku.
Kutive iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili theksoi se është besimplotë që, siç u shpreh ai, pozitive siç ishte fushata, ashtu do të jetë edhe rezultati i këtyre zgjedhjeve.
“Sot është një ditë e mirë, e madhe tepër e rëndësishme, për vendin për qytetarët, për demokracinë e Kosovës. Votova me besimin e plotë për të ardhmen e qytetatëve tanë, për mundësinë për të pasur një jetë më të dinjitetshme për të gjithë. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët që ta japin verdiktin se si do të qeveriset vendi në katër vitet e ardhshme….Shpresoj që, siç e kemi bërë traditë në konsolidimit të këtij procesi të rëndësishëm demokratik, sidomos me ligjin e ri zgjedhor.”
Rreth 1 milion e 971 mijë qytetarë rezidentë me të drejtë vote kanë mundësi t’i drejtohen kutive të votimit në 941 qendra votimi në gjithë Kosovën.
Mbi 125 mijë persona do te votojnë për herë të parë. 104,924 votues ishin regjistruar nga diaspora, afati për votim i të cilëve është mbyllur tashmë.
Në garë janë 28 subjekte politike me rreth 1280 kandidatë për deputetë. Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK kanë edhe kandidatët për kryeministër.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në ora 19:00. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.
Sipas KQZ-së, janë shtypur 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
Çdo votues ka të drejtë të zgjedh një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Në bazë të ligjit të ri zgjedhor, votat do të numërohen ne qendrat e numërimit në secilën komunë gjë që do të mundësojë deri në mesnatë të dihet rezultati preliminar i partive politike dhe shpërndarja e ulëseve në Kuvend. Votat për kandidatët do të fillojnë një ditë më pas në Qendrën kryesore të Numërimit në Prishtinë.