Janë arrestuar 3 shtetas shqiptar të dënuar në vendin tonë, përkatësisht dy në Greqi dhe një në Itali, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ata janë dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
“Policia e Shtetit/Finalizohen 3 operacione të tjera, në bashkëpunim me partnerët europianë, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Greqi dhe në Itali, mbi vendndodhjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për llogari të autoriteteve gjyqësore në Gjirokastër, në Korçë dhe në Mat, policitë partnere finalizuan 3 operacione policore për kapjen dhe ndalimin e tyre.
-Në kuadër të operacionit “Triplet” u arrestua nga policia greke, shtetasi A. M., 45 vjeç, i lindur në Memaliaj. Në vitin 2017, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Gjirokastrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.
-Në kuadër të operacionit “Dënimi” , u arrestua nga policia greke, shtetasi E. D., 31 vjeç. Në vitin 2023, ai u dënua nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.
-Në kuadër të operacionit “Masa” u arrestua nga policia italiane, shtetasi N. K. alias N. T. alias A. K. alias A. K., 49 vjeç, i lindur në Mat. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak”, njofton policia.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.