Deputeti Enkelejd Alibeaj prezantoi parimet e partisë së re të quajtur “Djathtas 1912”. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj lexoi Kartën e Parimeve dhe Vlerave të kësaj partie të re, teksa u shpreh se bazohet në pesë shtylla kryesore themelore të lirisë: individi, prona, familja, vetëqeverisja dhe besimi.
“Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë, i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të gjithë e kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për ne përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, veteqeverisjen dhe besimin.
Ne besojmë tek individi dhe të drejtat natyrore, politike e ekonomike e të patjetërsueshme, për jetën, lirinë, ndërgjegjen, fjalën e lirë dhe ushtrimin e lirë të fesë, të drejtën për të qenë i lumtur, për të pasur pronë, për të ndërtuar pasuri dhe për të mbrojtur veten dhe familjet. Dinjiteti i njeriut është baza themelore e lirisë së tij.
Qëllimi i shtetit është të sigurojë këto të drejta dhe të synojë gjithmonë ruajtjen dhe rritjen e lirisë. Qeverisja nuk është qëllim por mjet. Ne besojmë te sovraniteti dhe shteti si njësi unitare, te Kushtetuta e vendit, qeverisja përfaqësuese e drejtë që garantohen nga kontrolli dhe balanca mes parlamentit, qeverisë dhe drejtësisë. Këto janë gurët e themelit dhe zbatimi me rigorozitet i Kushtetutës dhe ligjeve që rrjedhin prej saj janë baza për zhvillimin e vendit. Ne besojmë se vota e lirë dhe paprekshmëria e saj, pluralizmi i pikëpamjeve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Ne besojmë në “një qeveri të ligjeve dhe jo të tjerëve”, të institucioneve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Ne besojmë se një qeveri është më efikase dhe e pakorruptuar. Qeveria e vogël por e fortë.
Decentralizimi i pushtetit lokal dhe qendror janë parime të rëndësishme që sigurojnë angazhimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë në çdo hallkë të saj. Qeverisja vendore është guri i themelit të sovranitetit të komuniteteve dhe afrimit të qeverisjes tek qytetarët.
Komuniteti është lidhje organike mes njerëzve, shteti është lidhje mekanike por e domosdoshme.
Për ne, grupet e interesit nuk janë as klientele dhe as vasalë të qeverisë por ndërmjetës mes shoqërisë dhe qeverisjes.
Ne mbështesim tregun e lirë, ekonominë e plotë të tregut, përfshirjen sa më të vogël të shtetit në ekonomi, pavarësinë e individit në treg dhe lirinë e paprekshmërinë e pronës private si themele të ndërtimit të një ekonomie dhe shoqërie te lirë, të shëndetshme dhe sa më të pavarur. Biznesi e individët, dhe jo qeveria, janë krijuesit e vërtetë të mirëqënies dhe punësimit.
Ne besojmë se liria e tregut është rruga më e mirë për përmirësimin dhe rritjen e ekonomisë dhe shpërndarjen sa më të drejtë të pasurisë. Ne besojmë se konkurrenca duhet të inkurajohet, ndaj ndërhyrja e shtetit dhe rregullimi duhet të kufizohen duke mos cënuar zbatimin e ligjit. Nierëzit janë më të aftë për të marrë vendime për jetën dhe begatinë e tyre sesa burokratët. Sistemi i sipërmarrjes së lirë është baza e zhvillimit dhe rritjes së ekonomisë. Ekonomia kombëtare duhet të bazohet tek prodhimi. Po ashtu shpërndarja e drejtë e aseteve kombëtare eshtë jetike për një shoqëri të drejte për këdo.
Familja është baza e zhvillimit shoqëror për ne. Rritja e një familje të shëndetshme, mbi baza të traditës dhe barazise shoqërore, është boshti i ndërtimit të shtetit dhe mirëqenies së individit.
Ne besojmë se çdo jetë njerëzore ka dinjitet dhe vlerë të paçmuar dhe një politike e drejtë mbron jetën, nderon martesën dhe familjen, si institucionet kryesore të një shoqërie shëndetshme që perqafon ndikimet kulturore jetësore të fesë dhe moralit”,-tha Alibeaj.