Pas Italisë edhe Federata Angleze e Futbollit ka dënuar mesfushorin Sandro Tonali për bastet sportive. Masën e federatës angleze e ka komunikuar vetë klubi i Newcastle.
“Mesfushori Sandro Tonali është pezulluar nga futbolli i luajtur për dy muaj nga një komision rregullator i pavarur pasi vetëdeklaroi shkelje të rregullave të basteve të FA”, thuhet në një njoftim për mediat nga klubi.
Mesfushori i axurëve është skualifikuar për dy muaj për shkak të basteve që ka vendosur pas transferimit të tij te Newcastle.
Në total janë 50 shkelje të kryera prej tij midis 12 gushtit dhe 13 tetorit 2023, por me kusht që të mos kryejë shkelje të mëtejshme të Rregullave për bastet sportive gjatë periudhës së pezullimit aktual, Sandro nuk do të vuajë asnjë pjesë të dënimit të ri prej 2 muajsh.
Tonali gjithashtu do të duhet të paguajë një gjobë prej 20 mijë paund. Ai do të mund të rikthehet në fushë vetëm në fund të gushtit, kur edhe rinis Premier League në Angli, kohë kur i përfundon skualifikimi 10-mujor i vendosur nga FIGC.
Ndërkohë, nga klubi anglez bëhet me dije se Tonali vazhdon të ndjekë një plan terapeutik dhe një program edukativ, ndërsa nënvizohet se do të vazhdojë të stërvitet me shokët e tij të skuadrës për të ruajtur formën.