Pas deklaratës së kryetarit të Grupit Parlamentar të PD për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj, thotë se komisioni nuk është vendi ku bëhet show politik.
Në një postim në “Facebook”, shton se të gjithë faktorët opozitarë janë të mirëpërfaqësuar në atë komision dhe se rregullat nuk mund të ndryshojnë sa herë një deputet ndryshon qëndrim.
“Komisioni i reformës zgjedhore nuk është vendi ku bëhet show politik, qoftë edhe për të shkuar drejt rrugës së shpresës. Opozitarizmi nuk është çertifikatë që të mund ta shpërndajë dikush. Rregullat e lojës janë ato të caktuara, që kur u nis procesi i reformës. Aty, çdo parti dhe fluks opozitar është i mirëpërfaqësuar, me kërkesë të vetë PDSH. Secili ka të drejtë dhe detyrim të marrë pjesë, të ulet, të punojmë e të bëjmë propozime opozitare bashkë. Ashtu siç PD ka bërë deri më tani, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë dhe zgjedhjet e ndershme: me lista të hapura, Shqipëria 1 zonë elektorale, votë për diasporën dhe votim&numërim elektronik. Rregullat nuk ndryshojnë sa herë që ndonjë deputet ndryshon qendrim. PD është e vendosur për reformë zgjedhore për shqiptarët”,-shkruan Alibeaj.