Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombtar të Udhëtarëve, Shpëtim Ahmeti denoncon në redaksinë tonë, se ndër vite dhe aktualisht ky sektor përballet me konkurrencën e pandershme.
Automjete pa licensë dhe pa asnjë kriter, punojnë paralelisht me automjetet e licensuara, që bëjnë transportin e udhëtarëve jashtë Shqipërisë.
Shpëtim Ahmeti: Sot që flasim bashkë, në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Shqipërisë, në linjat me Greqinë, Qafë Botë, Kakavijë dhe Kapshticë, mbi 85% e transportit ndërkombëtar bëhet me mjete të palicencuara dhe të paautorizuara nga shteti dhe organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Unë personalisht, mbi 7-8 email-e mos gaboj, ia kam drejtuar portalit të bashkëqeverisjes. Më kanë kthyer përgjigje që është bërë kontrolli nëpërmjet task forcës. Realisht task forca e Tiranës ka bërë disa herë kontrolle, por është e pamjaftueshme sepse janë me orare të reduktuara dhe janë të pakontrollueshëm. Pikërisht, po të flas në rrethin e Sarandës, që nga Dhërmiu e deri në Konispol, mund të jenë rreth 50-60 mjete të palicensuara që punojnë drejt Greqisë. Imagjinoni që dëmi kolosal, është dëm kolosal që po i vjen Shoqatës të Transportit Ndërkombëtar të Udhëtarëve, rreth 400-450 mijë euro, sipas përllogaritjeve tona në vit, xhiro që i shkaktojnë dëm këto mjete. Këto mjete nuk disponojnë asnjë lloj dokumentacioni, nuk janë të siguruara, nuk presin bileta, nuk kanë listë udhëtarësh, nuk kalojnë në asnjë lloj sistemi TIMS të regjistruar për transport udhëtarësh. Nuk bëjnë asnjë kontroll, kalojnë më shpejt nga autobusët. Si kalojnë? Unë edhe këtë pikë e denoncoj publikisht, sesi kalojnë. Është për të ardhur keq, po shkojmë drejt falimentimit. Po shkojmë drejt falimentimit sepse na konkurron pandershmëria, na konkurron moszbatimi i ligjit.
Pas këtij denoncimi, një grup i emisionit “Stop”, ka shkuar në Sarandë nëpikën doganore të Qafë Botit, për të vërtetuar transportin e paligjshëm të qytetarëve.
Pasi dokumentuam me pamje kalimin normalisht të automjeteve të palicensuar për transport udhëtarësh në Qafë Bot,një person i inflitruar,mori rolin e një pasagjeri, që do udhëtonte drejt Greqisë me njërin prej këtyre automjeteve.
Qytetari: Me këtë furgonin je?
Jani Rexho: Eh…
Qytetari: Ça ore nisesh? Sot a nesër? Kur nisesh?
Jani Rexho: Tani!
Qytetari: Hë, nisesh tani…
Jani Rexho: Eh…!
Qytetari: Sa është deri në Athinë?
Jani Rexho: 50!
Qytetari: 50! Po kështu të më çosh deri në Agjo Joanos, mos më lësh?
Jani Rexho: Agjo Joani!
Qytetari: Eh, Agjo Joani!
Jani Rexho: Të çoj unë, ç’e diskuton ti!
Qytetari: 50, the hë?
Jani Rexho: Po..! Prandaj unë kisha njerëz të tjerë mo tani, po meqë u vonova për të ikur dhe më thanë “jo nuk arrijnë dot ata të venë, se janë jashtë Athinës”. Do ikim tani!
Qytetari: Hë do ikësh tani, e ke..?
Jani Rexho: E kam vendosur, tani gati jam. Agjo Joani e kemi afër, e kam afër nga shtëpia ime.
Qytetari: E ke afër nga shtëpia?
Jani Rexho: Në qoftë se rrugës vendosim, që të…
Qytetari: Ke pas noi çikë punë?
Jani Rexho: Gjynah të qahemi, se ka dhe më keq.
Qytetari: Kur kthehesh ti tani?
Jani Rexho: Të martën! Unë lashë të tjerët, se po t’u lusja do vinte, se u vonovëm faktikisht. Thashë në orën 10-të dhe vajtëm në orën 12-të atje. Rrini dhe gjeni noi makinë tjetër, se unë në orën 4, që doni juve, nuk u proftaris. (Arrij) Vërtet nuk arrija dot në 4.
Qytetari: O bo bo, kam harruar pasaportën…
Jani Rexho: Ohh ç…
Qytetari: Kam harruar pasaportën te makina. Sa të detyrohem?
Jani Rexho: Hiç, o ik! Ça më detyrohesh ti mua?!
Qytetari: Ah, ç’më iku dita kot, mo burrë! Do më falësh hë…
Jani Rexho: S’ka përse!
Qytetari: Hajd! Ia kalofshi mirë! /tvklan.al