Kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj deklaron se për vitin e ri akademik nw kryeqytet hapin dyert 10 shkolla të reja, ndërkohë që të tjera janë në proces ndërtim apo restaurimi.
“Hapet një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, mbi ato 40 që përfunduan semestrin e kaluar. Janë 10 shkolla ku spikasin disa nga gjimnazet ikonike të Tiranës, “Besnik Sykja” dhe “Partizani”. Çdo shkollë është pak më e bukur se një që kemi bërë më përpara. Kështu që kush ishte xheloz për “Sami Frashërin”, do të shkojë tek “Partizani”. Por, për këto 10 shkollat do të thotë që do të jenë edhe 10 vatra të tjera trafiku, qarkullimi dhe grumbullimi. Ndaj edhe bashkë me Taulant Ballën, me Ministrin e Brendshëm ne kemi bërë një plan masash. Siç e dini Tirana është i vetmi qytet që rrit popullsinë. Kjo do të thotë që është i vetmi qytet që do të vazhdojë të ndërtojë shkolla për faktin që ka familje të reja dhe ka më shumë frekuentime dhe numri i popullsisë do të duhet të mbajë dhe ritmin me investime”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka marrë masa për të lehtësuar trafikun në mënyrë që asnjë nxënës të mos vonohet për në shkollë, e po ashtu prindërit që i shoqërojnë për në punë .
“Nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës, mjetet e tonazhit të rëndë nuk mund të lëvizin, kjo do të thotë trajlera, betoniere, kamionë, ndërkohë që nga ora 7 deri në orën 9 asnjë mjet mallrash. Pra, përfshi edhe ata furgonët e vegjël, nuk do të lëvizin. Unë besoj fort që ora e parë e mësimit për një fëmijë është shumë herë më e rëndësishme se një kuti patatinash, apo një paketë çamçakizësh për një një mini-markatë. Kështu që do duhet që të mirëkuptojnë. Nëse dikush i ka emergjente këto shërbime, do të duhet t’i kryejë para orës 7, ose pas orës 9. Na ka dhënë Perëndia mjaftueshëm kohë për të shpërndarë mall. Ndërkohë që 7 me 9 është koha kur ne shpërndajmë fëmijët që të kapin orën e parë të mësimit”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër edhe për studentët të cilët nisin vitin akademik tre javë më pas, bashkia po bën gati rezidencat akomoduese dhe kampuset në funksion të tyre.
“Kujtoj kampusin e Universitet Bujqësor. Ju kujtoj 2 godinat e Infermierisë dhe Mjekësisë që janë pranë QSUT-së tek “Farmacia 10”. Ju kujtoj gjithashtu dhe gjihtë investimin që është bërë me qeverinë gjermane tek Inxhinieria. Kampusi që është në progres, në punë e sipër, është sigurisht edhe kampusi më i madh i “Qytetit Studenti” në “Rrugën e Elbasanit”. Aty ka përfunduar 2/3-tat e godinave, kemi edhe një lot të fundit të godinave, prapë me qeverinë gjermane. Ju kujtoj që kush ka zaptuar godinë dhe për 30 vite mendonte që e kishte të vetën dhe mbas tërmetit ato u prishën, dua të kujtoj që janë godina të shtetit dhe të bashkisë. Për ata qytetarë ne kemi një trajtim social, disa janë me bonos qiraje, disa me kredi të butë, por nuk do të kemi më zaptim të godinave”, theksoi Veliaj.
Tanimë do të lirohen edhe hapësirat ku parkonin automjetet që vinin nga juglindja e vendit pasi është gati terminali në Lundër.
“Sapo kemi certifikuar terminalin e ri në Lundër. Do të thotë që të gjithë furgonët dhe të gjithë mikrobusët, apo autobusët do të transferohen në Lundër. Do të jenë 2 linja pastaj të autobusit të brendshëm urban, të cilët nga Lundra në drejtim të “Rrugës së Elbasanit”, ose nga Lundra në drejtim të Kopshtit Zoologjik, do bëjnë transportin e pasagjerëve. Sigurisht edhe një stacion taksish dhe biçikletash, por si çdo qyte do të duhet të ketë portat e veta. Jo porta në kuptimin klasik të qytetit, por një lindje dhe një perëndim nga ku hyn trafiku dhe me mbarimin e transferimit javën tjetër të terminalit, do të shikojmë një trafik edhe më të lehtësuar për “Qytetin Studenti” dhe ajo hapësirë e lirë të dedikohet për studentët, ose për mësuesit, ose për pedagogët që kanë mjete dhe mund të përdorin atë parkim, ndërkohë që ne po fillojmë dhe terminalin perëndimor tek kthesa e Kamzës tashmë që janë zgjidhur edhe gjithë ngërçet me pronat aty”, nënvizoi Veliaj në TCh.