Gjatë një konference për mediat me homologun e tij në Mal të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se një takim informal me përfaqësues të BE-së do të mbahet në Tiranë më 17 Korrik.
Rama tha se ky takim do jetë një drekë pune ku do të jenë të pranishëm dhe përfaqësues evropianë, për të diskutuar mbi përgatitjet e samitit të Tetorit.
“E informova dhe për një takim informal, drekë punë më 17 Korrik në Tiranë bashkë me përfaqësues të Komisionit nga Brukseli për të dialoguar lidhur me planin. Ky ishte takimi, sigurisht ne jemi në një linjë politike, por edhe horizont të përbashkët në qasje”, deklaroi Rama.
Në këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare e ka ftuar zyrtarisht edhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk e priti dje Ramën në Prishtinë.
Në 16 Tetor, në Tiranë do të mbahet për herë të parë samiti i radhës i Procesit të Berlinit, e në kuadër të tij Kryeministri ka zhvilluar dhe turin e tij në vendet e rajonit.