Mes prodhimeve bujqësore, rritja e çmimeve ka prekur më shumë drithërat, qumështin dhe vezët. INSTAT vlerëson se për vitin 2022 drithërat janë rritur në çmim me 37%, qumështi i lopës me 30 % ndërsa vezët me 26%.
Indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore shënoi kështu një rritje me 11 %, më e larta e të paktën 5 viteve të fundit. Prodhimet e blegtorisë për vitin 2022 kanë pësuar shtrenjtimin më të madh me 22%, krahasuar kjo me një vit më parë.
Kjo rritje në produktet e blegtorisë vjen përgjatë një viti kur numri i gjedhëve pësoi rënie në numër.
Për pasojë në Shqipëri u prodhuan më pak nënprodukte si qumësht dhe mish, ky i fundit vjet shënoi një rritje në çmim me thuajse 16%.
Ndryshe ka ndodhur me prodhimet bimore siç janë ulliri dhe vaji i ullirit, të cilat kanë pësuar rënie vjetore në çmime.
Indeksi i çmimeve të ullirit ra me 14%, ndërsa i vajit me 6%. Viti 2022 shënoi një rritje të përgjithshme të çmimeve të ndikuar nga efektet e luftës në Ukrainë./ Tv Klan