Një grua bashkë me fëmijën e saj pesë vjeçar kanë mbetur viktima të vërshimeve të mbrëmshme në qytetin e Pejës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Asllan Qeshme”. Fëmija rreth orës 23:10 është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës ku u konstatua se ishte pa shenja jete.
Nëna e tij fillimisht ishte e zhdukur, por është gjetur e vdekur në orën 01:20 pas mesnate.
Përveç, dy rasteve të vdekjeve deri tani janë lënduar edhe dy persona nё lagjen “Fidanishte”, të cilët janë duke marrë trajtim mjekësor.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas vërshimeve që kanë kapluar qytetin, ku kanë humbur jetën dy njerëz.
Ai u shpreh i tronditur për rastin tragjik dhe tha se “kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë”.
“Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore”, tha Muhaxheri.
Më tej, ai tha se ekipet e komunës janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet./Opinion.al