Trajneri i Skënderbeut U18, Romeo Xeka, u përjashtua përjetë nga sporti pasi goditi me shuplakë dy lojtare të skuadrës së tij.
Në një dalje për mediat, Xeka ka shpjeguar se vetë volejbollistja i kishte kërkuar që ta qëllonte me shpullë pasi nuk ndihej mirë emocionalisht.
Xeka tha se vendimi i Federatës ishte i nxituar teksa kërkoi falje për mënyrën se si është përcjellë lajmi.
“Nga gjithë loja janë kapur disa sekonda. Lojtarja ka kërkuar, duke më thënë, profesor nuk po ndjehem mirë emocionalisht, mund të më japësh një shpullë, kush është në botën e sportit e kupton, njëlloj shkundjeje. Unë i dhashë vetëm një goditje. Kjo u transformua në mënyrat më të ndryshme. Vendimi që ka ardhur nga Federata është shumë i rëndë, është një vendim shumë i nxituar. Mendoj se duhet të rishikohet si vendim. Është një vendim i bazuar vetëm në 3-5 sekonda. Është shumë e pakuptimtë. Unë sërish kërkoj falje për mënyrën se si është përcjellë. Shpresojmë që të jemi të qetë drejt finales. Unë do jem një spektator i thjeshtë”- tha ai.