Bota

Zbulimi i rëndësishëm i NASA, çfarë bën Rusia me gazin që nuk e dërgon në Europë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 16:42 - 09/08/22 |
Opi Nion

NASA ka publikuar imazhe të cilat tregojnë se Rusia po djeg gazin që nuk po e dërgon në Europë. Sipas televizionit finlandez “Yle” tymi i gazit mund të shihet deri në Finlandë.

Flakët janë zbuluar në stacionin e kompresorit të gazit natyror dhe naftës rus të grupit Gazprom në Portovaya çdo ditë që nga 17 qershori, sipas imazheve satelitore nga sistemi i monitorimit të zjarrit të NASA-s.

Stacioni i kompresorit është stacioni ku rritet presioni i gazit dhe në këtë mënyrë rritet kapaciteti transmetues i rrjetit të gazit. Dyshohet se flakët janë shkaktuar nga ndezja e gazit natyror në stacionin e kompresorit.

Ndezja nënkupton shkatërrimin e kontrolluar dhe të qëllimshëm të gazit nga djegia. Procedura mund të shihet nga jashtë, për shembull, si një flakë që del nga kulla.

Ndërkohë, Finlanda nuk ka marrë gaz natyror nga Rusia që nga maji, sepse refuzoi të paguante gazin në rubla të kërkuara nga Rusia.

Olga Väisänen, drejtoreshë e komunikimit dhe përgjegjëse e kompanisë energjetike Gasum, nuk komenton drejtpërdrejt situatën në Rusi, por thotë se djegja e gazit duhet të bëhet në situata të caktuara. Ajo thotë se djegja e tij shpesh bëhet gjatë trazirave.

Djegja e gazit është një kërcënim për Finlandën dhe ndikon në situatën klimatike në botë. Finlanda akuzon Rusinë për djegien e gazit që nuk e dërgojnë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë. Deri më tani, Rusia nuk ka komentuar mbi këtë, por nëse po djeg apo jo furnizimet e veta, e vërteta është se fluksi i gazit që ajo dërgon në “Kontinentin e vjetër” është reduktuar shumë, duke kompromentuar vjeshtën dhe dimrin e pothuajse të gjithë Evropës.

Petteri Taalas, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike, thotë se djegja e gazit prodhon të ashtuquajturin karbon të zi, i cili përshpejton shkrirjen e borës dhe akullit kur zbret mbi të. Ai, nga ana tjetër, përshpejton ndryshimet klimatike në rajonet veriore.

Shkrirja e borës dhe akullit është arsyeja që rajonet veriore janë ngrohur me një ritëm të dyfishtë, thotë Taalas./Opinion.al

Pas