Bota

Virxhinia shfuqizon dënimin me vdekje


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:28 - 24/03/21 |
Opi Nion

Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam nënshkroi të mërkurën legjislacionin që shfuqizon dënimin me vdekje, duke vënë në jetë premtimin e tij për të nxjerrë jashtë ligjit dënimin me vdekje në një shtet që ka ekzekutuar më shumë të burgosur se çdo tjetër.

Në një ceremoni në një burg në Greensville, ku bëhen ekzekutimet, guvernatori tha se masa do të ndihmonte në reformimin e një sistemi të papërsosur të drejtësisë.

“Drejtësia dhe ndëshkimi nuk janë gjithmonë e njëjta gjë. Ne nuk mund të japim dënimin më të skajshëm, kur nuk e dimë nëse kemi gjithnjë të drejtë”, tha zoti Northam, një demokrat. “Kjo qeveri nuk do të marrë më jetë.”

Guvernatori Northam shtoi se dënimi me vdekje përdoret në mënyrë disproporcionale ndaj njerëzve me ngjyrë, të cilët kanë qenë 296 nga 377 të burgosurit e ekzekutuar nga ky shtet në shekullin e 20-të.

Virxhinia, e cila për herë të fundit kreu një ekzekutim në vitin 2017, ka kryer 1,390 ekzekutime që nga viti 1608, kur ishte një koloni britanike. Teksasi, i cili u bë shtet i SHBA-së në vitin 1846, është në vendin e dytë, por kryeson me një diferencë të thellë që nga rivendosja e dënimit me vdekje në 1976.

Njëzet e shtatë shtete të tjera së bashku me qeverinë federale e kanë ende në fuqi dënimin me vdekje, sipas faqes së internetit deathpenaltyinfo.org dhe Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje.

Dy burra janë të dënuar me vdekje aktualisht në Virxhinia, përfshirë Thomas Porterin, i cili u dënua për vrasjen e një oficeri policie në 2005. Zoti Northam tha se ata që janë dënuar me vdekje, do të jenë të burgosur pa mundësinë e lirimit me kusht.

Sarah Craft, Drejtore e Programit kundër Dënimit me Vdekje me organizatën “Drejtësia e Barabartë” e përshëndeti veprimin.

“Ky është veprimi i fundit në një goditje të fortë kundër dënimit me vdekje” tha ajo në një deklaratë për agjencinë Reuters. Është pjesë e përballjes së vendit tonë me një trashëgimi të thellë dhe të shumëpërhapur të padrejtësisë racore,” shtoi ajo./ VOA

Pas