Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Prekal të Shkodrës, ku një person është vrarë me armë zjarri.
Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se viktima, Aleksander Koçeku, është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda në një automjet, rreth orës 19:00 në aksin rrugor Prekal-Kir.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e shtëpisë së tij më 26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Për vrasjen e 20-vjecarit, janë vënë në pranga Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ka dyshime se në ngjarje është i përfshirë dhe Aleksandër Koceku.
Vëllai i Aleksandër Koçekut, 43-vjeçari Vasel Koçeku dhe 20-vjeçari Klaudio Lisaj ndodhen në qeli për vrasjen e Pavlin Prekës. Pra, hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja e sotme mund të ketë ndodhur për hakmarrje, për vrasjen e Pavlin Prekës.
Vrasja e Pavlin Prekës dyshohet se ndodhi pasi viktima kishte shfaqur dëshirën për të rrëmbyer vajzën e njërit prej autorëve të krimit, 43-vjeçarit Vasel Koçeku, me të cilën kishte një lidhje intime.
Ndërkohë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.












