Politikë

Vasili akuza KED dhe qeverisë: Binomi mafioz ka kryer vepra penale


               Publikuar në : 12:26 - 11/11/19 |
Al Do

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe qeverinë se kanë shkelur ligjin duke kryer vepra penale.

Në një konferencë për shtyp Vasili argumenton se botimi i listës së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë është një akt i paligjshëm.

“Për në fletoren zyrtare për të qenë shumë të saktë botohen ligjet, dekretet e Presidentit të Republikës, aktet normative të Këshillit të Ministrave, aktet normative të Ministrave, rezolutat deklaratat e Kuvendit të Shqipërisë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe akte të tjera të përcaktuara me ligj” tha Vasili.

Ai iu referua edhe ligjit të publikimeve të Këshillit të Lartë në Drejtësi ku thuhet se lista me kandidatë publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë dhe jo në Fletoren Zyrtare.

“Ligji thotë shumë qartë: Lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet për tu zgjedhur, e shoqëruar me arsyetimin përkatës, lista e kandidatëve që vijojnë konkurrimin dhe renditja e tyre, publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Pra jo në Fletoren Zyrtare. Binomi Mafioz për të çoroditur opinionin publik, e ka shpërdoruar Fletoren Zyrtare dhe e ka kthyer thjeshtë dhe vetëm në një gropë riciklimi të plehrave mafioze të kësaj dysheje KED dhe qeveri” shtoi ai.

Numri dy i LSI-së akuzoi gjithashtu kreun e KED-së se ka shkelur ligjin pasi nuk ka publikuar procesverbalet e mbledhjeve të KED duke i mbajtur të fshehta gjë e cila ndalohet me ligj.

“A e keni shumë të qartë dhe një fakt tjetër shumë të rëndë që Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka detyrim të botojë dhe të publikojë përmbledhjen e të gjithë procesverbaleve zyrtare të mbledhjeve dhe mbi 99.9% të këtyre procesverbaleve nuk janë publikuar edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që detyrimi është me ligj dhe në nenin 226 thotë Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë siguron që mbledhja të regjistrohet në sistemin audio dhe një përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit mbahet dhe bëhet publik në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, as kjo nuk ndodh” tha Petrit Vasili.

Pasi ngriti disa pyetje se kush i ka marrë përsipër këto akte të jashtë-ligjshme, Vasili tha se nuk po ndërtohet një drejtësi e re por një drejtësi e kapur “për ti shërbyer Rilindjes”

“Natyrshëm ka disa pyetje shumë të rëndësishme. Kush e dërgoi dhe e mori përsipër të dërgonte këto akte për botim në fletoren zyrtare? Kush mori përsipër që ti botonte në fletoren zyrtare duke dhunuar haptas ligjin? Kush urdhëroi publikisht botimin në Fletoren Zyrtare, pasi qendra e publikimeve zyrtare është në varësi të drejtpërdrejt të Ministrisë së Drejtësisë? Detyrimi e publikimit të dekreteve të Presidentit, Fletorja Zyrtare e ka me ligj dhe këto dekrete nuk u publikuan kur ishte çështja e shtyrjes së zgjedhjeve. Kush urdhëroi mospublikimin e tyre? Kush ka kurajë të shkelë ligjin dhe Kushtetutën e dekreteve të Presidentit që janë detyrim ligjor për tu zbardhur dhe për tu publikuar në fletoren zyrtare nuk e kryen, ndërsa vendimet të këshillit të emërimeve të drejtësisë që nuk duhet të publikohen atje, por në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë i boton.

Nuk ndodh të nderuar qytetarë sepse nuk po ndërtohet një drejtësi e re, po ndërtohet një drejtësi mafioze e kapur, e cila po përpiqet të eci përpara në këtë skenar, e cila është kundër shqiptarëve dhe drejtësisë së barabartë për të tërë, por ka synim vetëm krijimin e gjykatave  që i shërbejnë Rilindjes, që sigurojnë pandëshkueshmërinë e saj, sigurojnë mundësinë e përvetësimit dhe rrëmbimit të pushteti politik dhe vendosjes në funksion të këtij pushteti” tha ndër të tjera Vasili. /Opinion.al

Pas