Aktualitet

Skandali i tenderave/ Padi për korrupsion ndaj drejtoreshës së ARrSh


               Publikuar në : 12:57 - 17/09/19 |
Al Do

Shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ ka depozituar ditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato me akuzën e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës.

Avokati i kompanisë tha se ka dyshime për korrupsion pasi tenderi për rrugën Kardhiq – Devinë iu dha një kompanie (“Ircop” S.p.a) me ofertë 4.2 milionë euro më të lartë se ‘Gjoka Konstruksion’.

“Janë 4.2 milionë euro më shumë që do të merren nga buxheti i shtetit për të ndërtuar një vepër publike” tha avokati.

Ai shtoi se kompania që ai përfaqëson u skualifikua nga gara për tenderin e rrugës Kardhiq – Delvinë pasi sipas ARRSH kompania ka paraqitur dokumente false në punimet e rrugës së Arbrit, që ishte tenderuar për ti kryer. Për rrjedhojë sipas ARrSh, kompania ka përfituar para nga buxheti i shtetit pa përfunduar objektin.

Avokati i mohoi këto akuza duke thënë se kompania nuk ka marrë para nga shteti por përkundrazi, shteti i detyrohet 7 miliardë lekë dhe shtoi gjithashtu se punimet nuk janë shpalluar asnjëherë të përfunduara përveç faktit se tuneli në këtë aks rrugor është shpuar.

“Nga 9.1 miliardë lekë punime kemi marrë nga shteti vetëm 2.1 miliardë lekë. Të gjitha këto ja kemi kthyer shtetit në formën e tatimeve. Shteti na ka borxh 7 miliardë lekë” deklaroi avokati.

Raporti i ARrSh tregon se kompania ‘Gjoka Konstruksion’ ka paraqitur dokumente të rreme për të përfituar para publike duke shpallur të përfunduara punime që nuk kishin qenë të tilla. Këto punime janë kolauduar në datë 27 maj 2019 dhe konsistojnë në realizimin e dy urave dhe tre tuneleve, qe sipas ARrSh janë të papërfunduara. Sipas tyre kompania ‘Gjoka Konstruksion’ me administrator Rrok Gjokën ka lidhur një kontratë nënkontraktore me shoqerinë e djalit të tij, “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjokën.

Nga ana tjetër kompania pretendon se inspektimi i punimeve është në shkelje të ligjeve. Së pari ata thonë se nuk janë lajmëruar për këtë inspektim dhe se nuk është ngritur asnjë komision për kryerjen e tyre. Avokati i konsideroi madje “shëtitje” inspektimet dhe në reagimin e kompanisë ditën e djeshme thuhej se inspektuesit u bazuan vetëm në vëzhgime pa marrë asnjë lloj raporti ose dokumentacioni.

Kompania pretendon gjithashtu se pasi kanë ankimuar vendimin e ARrSh në Komisionin e Prokurimit Publik, ky i fundit ka vendosur që ata të kualifikohen për tenderin e rrugës Kardhiq – Delvinë. Vendimi i KPP është i paankimueshëm dhe i detyrueshëm për tu zbatuar. Por siç shkruhet në reagimin e tyre “vetëm 2 ditë para skadimit të afatit për zbatimin e Vendimit të KPP, Drejtori (Sonila Qato) i ARrSh nxjerr Urdhër për verifikim të zbatimit të punimeve të kontratës të dorëzuar si punë e ngjashme në këtë procedurë nga “Gjoka Konstruksion” sh.a.”.

Vendimi për ligjshmërinë e veprimeve të ARRSH dhe ‘Gjoka Konstruksion’ tashmë është në dorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Por fakti është se Autoriteti Rrugor përpara se të verifikonte punimet e kompanisë miratoi tenderin për rrugën Kardhiq – Delvinë për një ofertë 4.2 milionë euro më të lartë. Urdhëri për të verifikuar dhe më vonë zbuluar atë që ata e pretendojnë skandal me punimet në rrugën e Arbrit ka ardhur vetëm pasi Gjoka Construction është kualifikuar për marrjen e tenderit nga Komisioni i Prokurimit Publik. /Opinion.al

Pas