Statistikat e INSTAT treguan për një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë shtesë në tremujorin e fundit, me rreth 70%, më shumë se mesatarja e së njëjtës periudhë 2016-2019, ndër më të lartat në Europë, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Rritja e ndjeshme e fataliteteve shtesë, në raport me shtetet e tjera (që zgjodhën shëndetin para ekonomisë) është një tregues i përhapjes së madhe të infeksionit në vend. Tendenca vijoi edhe në tremujorin e parë 2021.

Teksa Shqipëria ka numrin më të ulët të doktorëve në Europë për 10 mijë banorë, me 16.5 mjekë (nga 47.6 që është mesatarja europiane), shumë familje dhe individë u detyruan që të përballonin kostot për kurimin nga xhepi, si në blerjen e medikamenteve, shtrimit në spitale private, apo në sigurimin e oksigjenit.

Këto shpenzime janë reflektuar në rritjen e ndjeshme të të ardhurave të operatorëve kryesorë që veprojnë në biznesin e shëndetësisë.

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, nga bilancet e spitaleve private, klinikat kryesore të analizave dhe kompanisë më të madhe të sigurimit të oksigjenit tregojnë se të ardhurat e 19 shoqërive në fushën e shëndetit (spitale private, depo farmaceutike, laboratorë analizash dhe tregtim i oksigjenit), u rritën me 15%, ose gati 50 milionë euro më shumë. Indirekt, kjo tregon një pjesë të shpenzimeve shtesë nga xhepi për të përballuar pandeminë.

Kosto totale, sidomos ajo e shërbimeve private (nga mjekë e infermierë në shtëpi) dhe e kurimit jashtë vendit është e pamundur të llogaritet. Sipas INSTAT, që llogarit indeksin e vlerës në tregtinë me pakicë të produkteve farmaceutike e mjekësore, nga tetori 2020 deri në mars 2021, shpenzimet mujore për produkte farmaceutike e mjekësore u rritën mesatarisht me 24-28%, në raport me muajt përkatës të vitit normal 2019.

Më i fortë ishte zgjerimi i aktivitetit i nja shoqërie me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, që rriti të ardhurat me 72%, në 1.8 miliardë lekë, duke hyrë, për herë të parë, në renditjen e “Monitor 200”, e nxitur nga kërkesa për oksigjen në spitale Covid-19 dhe përdorimi i bombolave nga të sëmurët që u vetëkuruan në shtëpi. Importet e medikamenteve arritën 22.7 miliardë lekë sipas INSTAT, me zgjerim 33%, në raport me mesataren 2018-2019.

Rritja ishte e fortë në tetor dhe në dhjetor. Pjesa më e madhe e depove të mëdha farmaceutike panë një shtim dyshifror të të ardhurave.

I fortë ishte dhe zgjerimi i aktivitetit të laboratorëve mjekësorë, pas shpenzimeve të larta për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes./Monitor