Bota

Rusia është gati për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:46 - 18/11/22 |
Opi Nion

Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov deklaroi se Moska shpreson që mund të arrihet një marrëveshje me Uashingtonin mbi shkëmbimin e të burgosurve.

Rusia shpreson për një shkëmbim të të burgosurve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshi një shkëmbim të trafikantit rus të armëve Viktor Bout.

Zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov, tha: “Dua të shpresoj që të mos mbetet vetëm perspektiva e një shkëmbimi të mundshëm, por dhe se do të vijë momenti kur do të arrijmë një marrëveshje konkrete.

“Amerikanët po shfaqin aktivitet të jashtëm, ne po punojmë profesionalisht përmes një kanali të veçantë të krijuar për këtë arsye,” tha Ryabkov.

“Viktor Bout është në mesin e atyre që po diskutohen dhe ne sigurisht që shpresojmë në një rezultat pozitiv”.

Shkëmbimi i mundshëm i të burgosurve do të përfshinte edhe basketbollisten amerikane Brittney Griner, e cila përballet me nëntë vjet burg në Rusi pasi u dënua për akuzat e trafikut të drogës, dhe ish-marinsin Paul Whelan.

Ky i fundit po vuan një dënim 16-vjeçar në Rusi pasi u dënua për akuzat për spiunazh, të cilat ai i mohon.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, me tensionet e ngritura për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini.

Ryabkov tha se Moska ishte gjithashtu gati për bisedime të nivelit të lartë me Uashingtonin lidhur me “stabilitetin strategjik”, ku përfshihet traktati i ri “START”.

Traktati, i nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti amerikan Barack Obama dhe presidenti rus Dmitry Medvedev, kufizon çdo vend që të ketë jo më shumë se 1550 koka bërthamore të vendosura dhe 700 raketa dhe bombardues aktivë, dhe parashikon inspektime gjithëpërfshirëse në vend për të verifikuar pajtueshmërinë.

Në shkurt 2021, vetëm disa ditë para se të skadonte traktati, Moska dhe Uashingtoni ranë dakord ta zgjasin atë edhe për pesë vjet të tjerë.

Por në gusht të këtij viti, Rusia informoi Shtetet e Bashkuara për një ngrirje të inspektimeve nga pala amerikane të armëve të saj bërthamore, duke pretenduar se sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës për pushtimin e saj të Ukrainës, së bashku me kufizimet e vizave, kishin penguar inspektime të ngjashme në SHBA nga vëzhguesit rusë.

Zyrtarët rusë dhe amerikanë pritet të takohen së shpejti në kryeqytetin egjiptian, Kajro, nga 29 nëntori deri më 6 dhjetor për të diskutuar traktatin.

“Amerikanët e dinë pozicionin tonë. Kjo përkon me atë që ne ofruam dhe shprehëm në periudhën kohore para se ta prishnin atë në mënyrë të njëanshme,” tha Ryabkov.

Rybakov theksoi gjithashtu se “nuk ka asgjë për të diskutuar” në lidhje me Ukrainën, duke pasur parasysh “pozicionet dhe qasjet rrënjësisht kontradiktore” që kanë të dyja palët për këtë çështje.

Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt. Që atëherë, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe shumë nga aleatët e tyre e kanë dënuar agresionin dhe kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, qeverisë së saj dhe shumë prej atyre që janë afër presidentit Vladimir Putin.

Bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve mund të përfshijnë edhe disa shtetas të tjerë amerikanë që aktualisht janë duke vuajtur dënime me burg në Rusi.

Muajin e kaluar, një tjetër ish-marins amerikan, Robert Gilman, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg për sulmin ndaj një oficeri policie në gjendje të dehur.

Në korrik, Marc Fogel, një ish-punonjës i ambasadës së SHBA-së në Moskë, u dënua me 14 vjet burg për kontrabandë “në shkallë të gjerë” të kanabisit.

61-vjeçari Fogel thotë se barnat — më pak se 20 gram marihuanë — ishin përshkruar në mënyrë mjekësore për të menaxhuar dhimbjet kronike nga një dëmtim i shpinës.

Në prill, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara shkëmbyen Trevor Reed me një pilot rus të dënuar për kontrabandë droge. Reed, gjithashtu një ish-marins amerikan, u dënua me nëntë vjet burg pasi dyshohet se sulmoi oficerët e policisë në gjendje të dehur./REL

Pas