Aktualitet

Rimbursimet për ilaçet e të sëmurëve nga Covid ishin vetëm 234 mijë euro


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:04 - 24/09/21 |
Opi Nion

Në 18 nëntor 2020, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për rimbursimin e paketës së trajtimit ambulator në banesë për Covid-19 dhe udhëzimin përkatës se si do të bëhej ky rimbursim nga mjeku i familjes.

Buxheti i alokuar ishte 1.2 miliardë lekë (rreth 10 milionë euro). Vendimi përcaktonte që personat e testuar pozitiv me Sars Cov-2 përfitojnë pa pagesë trajtimin ambulator në banesë sipas udhëzuësit të miratuar me urdhrin nr. 579, date 14.10.2020, “Për miratimin e udhëzuesit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksion Covid – 19”

Por, një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” gjeti se deri në fund të muajit maj 2021, ishte përdorur vetëm 2.4% e këtij fordi, ose rreth 28.8 milionë lekë, për të rimbursuar pacientët, për trajtimin ambulator në banesë.

Sipas raportit, të dhënat e deritanishme zyrtare tregojnë se rimbursimet e shpenzimeve anti-Covid për të gjitha grupet e popullatës ishin minimale, duke i lënë qytetarët, sidomos të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të përballen vetë me kostot financiare të pandemisë.

Gjatë vitit 2020 përfituan rimbursim vetëm 1,708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë Euro).

Gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi 5632 receta me diagnozën “Covid-19”, kundrejt një vlere prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë Euro) .

Në total, për periudhën nëntor 2020-maj 2021, nga fondi total i dedikuar për rimbursimin e të prekurve me Covid-19 prej rreth 1,2 miliardë lekësh (9.7 milionë Euro) u shpenzuan 28.8 milionë lekë, ose 234 mijë Euro. Përfituan gjithsej 7183 pacientë nga viti 2020 deri në maj 2021, ose mesatarisht 4019 lekë (33 Euro) për pacient.

Shtimi i ngarkesës në spitale, i kombinuar me numrin e ulët të personelit shëndetësor në raport me popullsinë, detyroi shumë të infektuar që të kalonin pandeminë në kushtet e shtëpisë, përmes vetëmjekimit. Edhe spitalet private përjetuan një rritje të lartë të flukseve të pacientëve, thuhet në raport.

Sipas fokus grupeve të realizuara në kuadër të këtij raporti, trajtimet në shtëpi te të sëmurëve me gjendje te mesme Covid-19 arritën deri mbi 100,000 lekë (813 Euro) për person. Qytetari A.L thotë: “Në dhjetor të dy prindërit u infektuan. Babai pati një kollë, por ngaqë e ka kronike kollën nuk e menduam që është Covid 19, derisa gjendja e tij u përkeqësua. I shkoi tensioni 6 me 4. I çuam për grafi të dy prindërit, ku na konfirmuan që është Covid 19. Me shtetin nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti. Filluam menjëherë të marrin mjekimin. Kemi berë analizat e përgjithshme. Nuk kemi bërë një përllogaritje të kostove në të gjitha fazat, diagnostikim-trajtim-post covid. Totali për të dy prindërit ishte 200 mijë lekë (1600 Euro)”.

XH.D, farmaciste pohon se “Nga eksperienca me Covid, kostot më të larta pacientët i kanë patur për medikamente që nuk kanë qenë të lejueshme në Shqipëri. Çfarë dua të them? Ndjekja e protokollit ka diktuar marrjen e disa medikamenteve që në Shqipëri nuk lejohen. Pra, mjekët kanë lëshuar receta me medikamente të cilat pacientët janë detyruar t’i gjejnë në forma të paligjshme, sidomos për medikamente intravenoze. Për shembull, antiviralët dhe antibiotikët në trajtë intravenoze kanë qenë të palejuar si: favipiravira 200 mg ose favira që ka qenë e palejueshme. Nga shtatori dhe tetori ka qenë në masë e lëshuar nga mjekët në receta. Kostoja për çdo pacient ka qene 150 euro, 40 tableta (1 kuti). Pa përmendur antikoagulantët, që në fillim bëheshin me Heparinën. Në një moment edhe ajo pati mungesë dhe vazhdoi me pjesën pa pullë. Sa u takon rimbursimeve nga shteti, të paktën flas për suplementët, janë dhënë Vitaminë C 1000 mg, dhe Vitamina D3 2000 Unite. Kjo jepej vetëm për 30 ditë, nga një tabletë në ditë. Sipas protokollit duhet të merrej 2-3 gr vitaminë C, ndërsa e rimbursueshme ishte vetëm 1 gr. Kështu që rimbursimi ishte thuajse i papërfillshëm. Kostoja e atyre dy vitaminave s’ka qene shumë e lartë”.

Një tjetër farmaciste shprehet: “Duke qenë në një zonë periferike, kemi dhënë shumë “me listë”, pasi mundësitë ekonomike kanë qenë të pakta. Ka patur shumë raste të prindërve që fëmijët i kanë jashtë, dhe u kemi dhënë medikamentet me besimin që pasi të shërohen fëmijët, do çojnë lekët dhe ata do vijnë ti shlyejnë. Na i kanë sjellë lekët pasi ka kaluar ajo faza e rëndë e sëmundjes, pasi fëmijët ju kanë nisur lekët. Ka pasur raste që vetë fëmijët nga jashtë janë lidhur me mua dhe kanë kërkuar të bëjnë pagesën me bankë. Ka patur deri në 4 veta, të sëmurë në një familje. Në të shumtë e rasteve mjekët e familjes as nuk e kanë ditur që këta pacientë kanë qenë sëmurë”.

Intervistat me fokus grupet nxjerrin në pah se të sëmurët nuk tentuan të përfitojnë nga paketa e rimbursimit për shkak shumave të vogla në dispozicion dhe procedurave të shumta për përfitimin e tyre. Përparimi i shpejtë i sëmundjes në shumë raste bëri që individët të anashkalonin mjekun e familjes për shkak të kohës që zgjaste procedura dhe të nxitonin duke bërë analiza private ose duke u kuruar në institucionet spitalore private. Mosbesimi tek politikat e qeverisë dhe sidomos të kompensimet ishte një faktor tjetër që lidhet me disbursimet e ulëta të paketës anti-Covid-19.

Rritje e ndjeshme e importeve të barnave

Nuk ka të dhëna të sakta për pagesat e qytetarëve për të përballuar pasojat e pandemisë, përmes blerjes së medikamenteve, shtrimit në spitale private apo pagesave nga xhepi për shërbim privat mjekësor. Megjithatë, disa të dhëna indirekte, si importet e medikamenteve dhe intervistat me fokus grupet, hedhin dritë mbi shumat e larta të shpenzuara për kurimin e sëmundjes, thuhet në raport. Në kontrast, pagesat e qeverisë për të rimbursuar recetat anti-Covid ishin minimale, shumë më të ulëta edhe se planifikimi në buxhet.

Sipas raportit, të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importet e medikamenteve tregojnë tregojnë se shtesa e barnave të importuara në Nëntor 2020-Prill 2021 është rreth 30 milionë euro (pa përfshirë importet e vaksinave), një pjesë e konsiderueshme e të cilës është paguar nga xhepi për kurimin e pasojave që la Covid-19 në shëndetin e popullatës.

Për Tetor-Dhjetor 2020, importi i ilaçeve ishte 19% më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ose 1.15 miliardë lekë (9.4 milion Euro) shpenzime shtesë.

Për periudhën shkurt-prill 2021, importet e medikamenteve u rritën ndjeshëm me 87%, në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2020 , duke përfshire dhe importet e vaksinave. Përjashtuar koston e vaksinave, rritja është 50%.

Shtesa në vlerë e importeve, ishte 3.9 miliardë lekë (31.7 milionë Euro), nga të cilat 1.4 miliardë lekë (11.4 milionë Euro) ishin për vaksina të importuara nga Kina dhe Turqia . Përjashtuar koston e vaksinave, shpenzimet shtesë për medikamente ishin 2.5 miliardë lekë, ose 20 milionë euro që kanë ardhur si rrjedhojë e importeve të shtuara të produkteve, që u përdorën për mjekimin e Covid-19, si antibiotikë, kortizonikë, antiinflamatorë, vitamina etj .

Importet e produkteve farmaceutike nga Gjermania, partneri i parë tregtar i Shqipërisë (për barna, nga e cila vijnë 13% e totalit të importeve, u rritën me 24% për 4 mujorin e parë 2021, në raport me mesataren 2018-2020 të së njëjtës periudhë. Nga Italia, rritja ishte 48%, nga Franca 50% dhe nga shtetet e tjera (kryesisht, Sllovenia, Greqia, Belgjika, Brazili, Bullgaria Korea e Jugut) rreth 50%.

Importet e produkteve farmaceutike nga Kina u shumëfishuan në 1.1 miliardë lekë (8.9 milionë Euro), pasi filloi importi i vaksinave kineze. Një pjesë e tyre u importuan dhe nga Turqia, që pa një rritje me 48% me bazë vjetore për janar-prill 2021, në krahasim me mesataren e 4 mujorit të parë për periudhën 2018-2020. Ndonëse kontrata është bërë përmes Turqisë, importet direkte të vaksinave kineze, rezultojnë që kanë ardhur nga Kina./Monitor/

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Pas