Politikë

Rama paralajmëron mediat online


               Publikuar në : 13:28 - 18/04/19 |
geliano fataj

Në ditën kur raporti i organizatës “Gazetarët pa kufij“, me seli në Paris theksoi rënien e lirisë së medias në Shqipëri, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sërish mediat.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se shumë shpejt do të miratohet në kuvend paketa për shpifjen.  “Nuk mundet dot të vazhdojmë të jemi mish për top, kujtdo që i teket të shpif, të sajojë e të na futet nëpër shtëpi. Këtu do vijmë shumë shpejt, me një draft të dakordësuar me OSBE, do të kërkojmë të shtrëngohet qartë me ligj rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum. E kanë bërë të pamundur për njerëzit që të ndajnë kush informon dhe kush shpif”, tha Rama.

Në fakt që në vitin 2015, shefi i qeverisë ka propozuar ndryshime për të ashtuquajturën “paketa anti-shpifje”. Gjatë propozimit të parë, “burg për shpifjen” kryeministri Rama u kundërshtua me forcë.  Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Mediave në atë kohë bëri thirrje që propozimi të rrëzohej nga parlamenti.

Në vitin 2012, nën trysninë edhe të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, parlamenti shqiptar, me konsensusin e të gjitha palëve, e shfuqizoi nenin që në atë kohë parashikonte dënimin me burg për shpifje apo fyerje, ndërkohë që ka patur kërkesa të vazhdueshme, që shpifja të mos ekzistojë fare si vepër penale.

Propozimet e kryeministrit Rama për paketën anti-shpifje vijnë në kohë të ndryshme, sidomos në momentet kur ka një rritje të ndjeshme të kritikave ndaj qeverisë së tij dhe ministrave për përfshirje në aktivitetet të paligjshme apo korrupsion, jo vetëm nga opozita por edhe nga mediat. /Opinion.al

Pas