Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Rama mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret e tij, por jo për teatrin

2018/03/20 at 11:55 AM
në Komente
Kohë leximi: 7 min
A A
Rama mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret e tij, por jo për teatrin

“Godina do shembet dhe mbi gërmadhat e së shkuarës do ngrihet Teatri i ri Kombëtar”, deklaroi kryeministri në prezantimin e projektit për teatrin. Për sa i përket tonit, stilit, nënteksteve kjo frazë do tingëllonte komike po të mos ishte situatë tragjike. Si dhe vetë dhunimi që përbënte ajo mënyrë prezantimi. Një deklaratë e tillë, në një vend normal, nga një njeri me bon sens, do formulohej ndryshe dhe do emetohej me dhembje, respekt dhe nostalgji. Qoftë dhe vetëm për kortezi ndaj sensibilitetit të auditorit. Dhe kjo do ndodhte vetëm në rastin kur do të ishin bërë e ribërë nga ekipe ekspertësh të besueshëm, me kompetencë dhe integritet, gjithë ekzaminimet e duhura që nxirrnin si përfundim pamundësinë e restaurimit të ndërtesës, përfundim që, i argumentuar, do ishte vënë paraprakisht në dispozicion të grupeve të interesit. A u bë kjo? A u bë publike? A arritën të binden të interesuarit? Jo. Sa kohë që komuniteti si dhe qytetarët nuk janë të sigurt për domosdoshmërinë, si dhe pashmangshmërinë e kësaj të keqeje që është shembja e një godine që përbën histori e trashëgimi kulturore, deklarimi i prerë i kësaj prishje është një kamxhik cinik mbi nervat e të interesuarve, të cilët, edhe pa këtë, ndjehen jo pak të telendisur nga qeverisja totalitare aktuale.


«Përse vuajnë aktorët, për çfarë ? – pyet kryeministri në kuvend. – Mos duhet t’jua shpërndajë qeveria rolet? Mos duhet të ringremë Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe t’ju japim punë? Mos duhet t’ju vëmë tapetin e kuq që të bëjnë shfaqje? etj..»

Vuajtjet e aktorëve ka arsye të jenë të shumta, por konkretisht, mund të numërojmë disa prej tyre, të cilat, një pjesë të mirë të tyre i preokupojnë aktualisht. Dhe jo vetëm ata, por gjithë qytetarët që e kuptojnë dhe e ndjejnë rëndësinë e teatrit në kulturën e një vendi, rëndësinë e trashëgimisë kulturore, e identitetit të qytetit, e harmonisë arkitekturale, rëndësinë e dëgjimit të zërit të tyre si pjesëmarrës në zhvillimin e qytetit etj… Aktorët nuk kanë nevojë t’ua ndajë qeveria rolet, ata kanë nevojë që qeveria të luajë siç duhet rolin e saj! Me transparencë dhe pa afera të dyshimta! Këtë është mirë ta konsiderojmë të gjithë si detyrë morale ta kërkojmë dhe ta verifikojmë.

Aktorët, si gjithë qytetarët, kanë arsye të mos jenë të bindur se teatri duhet të prishet dhe jo të restaurohet ose të rindërtohet. Nuk janë të bindur se po bëhet më e mira. Ata kanë dyshimin se teatri po përdoret në favor të ndërtuesve e se po i «hahet» sipërfaqja. Ata kanë ndjenjën e fajit se me pretekstin e një teatri, i cili duhet të prishet e të bëhet i ri, i hapet rruga betonizimit të gjithë një lagjeje në qendër të Tiranës. Ata nuk duan që teatri të bëhet shkas për afera korruptive e kriminale e që ata ta ndjejnë veten të përdorur pa dashje e pa kuptuar. Ata duan transparencë. Në rast se ata do bindeshin që teatri duhet prishur, nga profesionistë me besueshmëri dhe integritet, atëherë dhe vetëm atëherë do shtronin për reflektim çështjet pasardhëse: do donin të thellohet reflektimi se çfarë duhet të bëhet në rastin e keq të prishjes. A do ishte më mirë të rindërtohej i njëjti teatër, si një e tërë, e pacopëzuar eksperimentalisht, (gjë që për mendimin tim personal është zgjidhja e vetme e denjë për qytetin) – apo një tjetër?

Konkretisht Tiranës i imponohet – nuk ka fjalë tjetër – një projekt. Kjo nuk mund të mos jetë destabilizuese dhe e dyshimtë për aktorët. Dhe përçarëse madje. Secili ka të drejtë të ketë opinionin e vet, të respektueshëm. Një pjesë e tyre, me shumë të drejtë, nuk pranojnë të shqyrtojnë një projekt të ri pa qenë të bindur se teatri ekzistues mund të restaurohet ose të rindërtohet po i tillë, gjithë duke mos qenë kundër ndërtimit të një teatri tjetër, të ri, gjetiu. Një pjesë tjetër e tyre nuk janë kundër ndërtimit të një teatri të ri edhe atje, në të njëjtin vend, por për të qenë dakord me një projekt, kanë nevojë të marrin përgjigje për dhjetëra pyetje e të sigurohen për dhjetëra kërkesa. E drejta për indiferencë i bën disa të tjerë të përpiqen ta kalojnë jetën, që është shumë e shkurtër, me preokupime më të këndshme e të mos kenë opinion.

Por pothuajse të gjithë nuk mund të mos mendojnë se teatri u la qëllimisht të rrëzohet që të zbatohen plane grabitqare dhe që pikërisht për këtë arsye eventualiteti i restaurimit të tij nuk është shtruar e as konsideruar kurrë. Pothuajse të gjithë, duan të dinë si e përse u nxor nga mënga në mënyrë të menjëhershme një projekt, ndërkohe që Ministria e Kulturës tha që nuk ka projekt. Kur u zgjodh arkitekti i projektit të ri, pse u zgjodh pikërisht ky? Nga kush e si u zgjodh? Sa kohë ka që i është bërë porosia? Pse nuk u bë një konkurs, si në të gjitha rastet e në të gjithë botën, për të mund të zgjedhur variantin më të përshtatshëm për ne? Pse nuk u konsultuan grupet e interesit? Me cilin specialist ekspertë për teknologjinë e teatrit u konsultua ky arkitekt? Çfarë iu kërkua atij në porosinë që iu bë dhe nga kush iu bë? Cili ishte specialisti njohës i nevojave të teatrit tonë që ia parashikoi? Apo nuk i janë parashtruar fare? A iu shpjegua atij se për ç’lloj teatri kemi nevojë dhe cilat janë ekzigjencat konkrete? Pse nuk kemi një projekt të detajuar se si do jenë hapësirat e brendshme të këtij teatri? Si mund të fillohet puna – siç deklaron kryeministri – pa qenë të sigurt se teatri i propozuar iu vjen për shtat nevojave tona? Pse nuk u lanë artistët të debatonin? Pse nuk u ftuan zërat kontestatorë?

Një teatër pritës, vitrinë shfaqjesh të krijuara gjetiu, është ndryshe nga një teatër krijues, në të cilin duhen hapësira për të gjitha zërat: për krijimin dhe ekzekutimin e dekoreve, (që nënkupton makineri, zdrukthëtarë, marangozë etj..) për krijimin dhe realizimin e kostumeve, (që nënkupton rrobaqepësi, laborator ripërpunimi për pëlhurat e ngjyrat etj..), depo për rekuizitën, hapësira për gardërobën, hapësirën dhe mekanizmin për ruajtjen dhe zhvendosjen e dekoreve, që supozon projektimin paraprak të hapësirës pas-skenike, në thellësi ose në lartësi etj.. Pa duhen kabinat e aktorëve, salla e grimit, një arshivë, një bibliotekë, ndoshta një librari, një vend për të lënë palltot e çadrat, për të mos thënë pastaj një parking, qoftë dhe vetëm për punonjësit e teatrit për të mos pasur probleme nesër etj., etj.. Janë thjesht nevoja që parashtrohen bashkë me porosinë, nga specialistë që e njohin teatrin e vendit, në mos e njohin, e studiojnë, dhe parashtrojnë kërkesat e verifikojnë përgjigjen që iu jep atyre projekti.

Ndaj edhe bëhen konkurse, për të parë se cili nga projektet u përgjigjet më mirë të gjitha kërkesave që janë shtruar paraprakisht. Nuk është fjala për një qendër të lehtë kulturore multifuksionale, është fjala për një fabrikë krijimi për të cilën, kur të hapë dyert, nuk duhet të pendohemi që s’ishim vigjilentë dhe parashikues.

Si ka mundësi që kryeministri i vuri llozin aferës duke thënë «Me këtë prezantim mbyllet mbledhja e njëzet vjetëve dhe fillon puna» ndërkohë që nuk u kuptua nëse ishte ky apo jo teatri që duam? A e kuptuan artistët se si do të ishte skena, kulisat, sistemi i stivimeve dhe ndërrimeve të dekorit (që është i lidhur direkt me arkitekturën), rrotativat, salla, a ishte fikse apo e adaptueshme etj.? A u siguruan që papijoni prej betoni ka hapësira për puntoritë artizanale me të cilat lidhet profesioni i tyre dhe për gjithë depozitimet? Aq sa pamë në media ne të tjerët, nuk kishte as një fije qartësie për këto pyetje. Edhe një skenografi kur bëjmë, për një shfaqe që do zgjasë (fatkeqësisht) vetëm njëzet ditë, regjisorët kërkojnë të shikojnë maketin, ta studiojmë mirë e mirë, të imagjinojnë vëllimet, hapësirat. Të organizojnë vendndodhjen e gjithçkaje. E jo më një teatër që, po u ndërtua, me ç’thuhet, duhet të jetojë nja pesëqind vjet! Qoftë dhe në emër të konfortit të atyre që do ta jetojnë atë në të ardhmen, e kemi për detyrë të thellohemi dhe të mos i lemë gjërat të rrëshqasin kaq shpejt si sapuni në ujë.

Ja që paskan arsye të «vuajnë» aktorët!

Ardian Klosi, e mbyllte librin e tij “Gërdeci” me këto fjalë “Për hir të (..) barrës që i bije çdo njeriu të vetëdijshëm në Shqipëri për të mos harruar dhe për të ndryshuar gjendjen e shtetit ku jetojmë, më mbetet vetëm të kujtoj në fund thënien e një gazetareje amerikane: Bashkëpunëtorja kryesore në krimin e korrupsionit është indiferenca jonë”. Kastriot Çipi thotë «Teatrin do ta shpëtojnë qytetarët». A do ta shpëtojnë apo do bëhen bashkëpunëtorë në krimin e korrupsionit? Se nuk mund të jenë gjë tjetër veprime të tilla kaq tinëzare!

Ja pse «vuajnë» aktorët!

Ju bëj thirrje artistëve dhe qytetarëve të mos tërhiqen në përpjekjen për të kuptuar se cilat janë mundësitë dhe për të rezistuar e zgjedhur më të mirën pa u nxituar. Me këtë shpejtësi dhe këto mënyra pa transparencë dhe pa thellim, teatri i ri që na imponojnë është një shuk, që rreket të na mbyllë gojën, një karamele për t’u mbllaçitur që të mos e zgjasim. Duhet të kërkojmë atë që na përshtatet, atë që është më e mira, mat shtatë herë e pri një herë thoshin të parët tanë; njëherë bëhet një teatër, duhen bërë gjërat sipas rregullave që të mos mallkojmë e të pendohemi nesër.

Një kryeministër mund të vendosë – pa pyetur familjarët – për shtëpinë e vet dhe për letrën e mureve të zyrës së tij, – madje dhe kjo është e tepruar se është zyrë shteti dhe ajo nuk i pëlqen patjetër kujtdo – mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret – edhe kjo në jetën zyrtare lë shkas për diskutime – por jo për gjithë Shqipërinë. Ka dhe njerëz të tjerë që jetojnë në të, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimmarrje. Edhe një shtëpi kur bëhet, llogariten nevojat dhe shijet e të gjithë pjesëtarëve të familjes, jo më një shtet. Ka njerëz të ndershëm që mund të preken nga sinqeriteti i tij kur kryeministri deklaron duke këmbëngulur në televizion «Unë e dua Shqipërinë».

Është kollaj ta besosh si të vërtetë, se përndryshe për ç’arsye do t’i kushtohej transformimit të saj sipas shijes së vet për 18 vjet rresht? Por duhet pasur kujdes se sinqeriteti nuk është garanci. Gjithë të tjerët, që e duan dhe ata vendin e tyre, nuk duhet ta ulin vigjilencën për Shqipërinë që duam, përderisa edhe një Hitler e donte me ngulm Gjermaninë, por e donte ashtu siç i thoshte mendja atij dhe nuk dyshoi asnjë çast, deri në bunker, se mund edhe të mos kishte të drejtë.

Sesilia Plasari, regjizore



Ju sugjerojmë

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!
Komente

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!

30 Qershor, 2021 8:55 pm
Dilema e hebrenjve
Komente

Dilema e hebrenjve

8 Prill, 2019 2:14 pm
Erjon Uka
Komente

Jo dembelë, por të pamotivuar

6 Prill, 2019 12:02 pm
Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi
Komente

Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi

5 Prill, 2019 3:15 pm
Erjon Uka
Komente

Lavdërim i paaftësisë

23 Mars, 2019 9:15 pm
A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?
Komente

A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?

25 Shkurt, 2019 8:13 am
Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë
Bota

Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë

23 Shkurt, 2019 8:00 pm
Antisemitizmi në rritje
Komente

Antisemitizmi në rritje

22 Shkurt, 2019 12:33 pm
Mustafa Nano: Problemi ynë nuk janë tradhtarët, por trutharët
Komente

Basti i rëndë dhe i rrezikshëm i Lulzim Bashës

20 Shkurt, 2019 11:38 am
Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen
Bota

Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen

17 Shkurt, 2019 12:30 pm
Para
Reforma në drejtësi/ Ambasadori Lu: Politikanët kanë frikë, nuk kam besim tek ta

Rrëfimi personal/ Donald Lu: Në fëmijëri kemi përjetuar kancerin e gjirit në familje

Kjo shenjë horoskopi është miku më i mirë që mund të keni

Kjo shenjë horoskopi është miku më i mirë që mund të keni

VIDEO/ Policia gjobit Elseid Hysaj? Ja si e ka parkuar Lamborghinin

VIDEO/ Policia gjobit Elseid Hysaj? Ja si e ka parkuar Lamborghinin
















TE FUNDIT

Votat e Greqisë, PD tjetër ankesë në KAS

PD publikon udhëzimin për primaret,afati i fundit për tre qytetet e mëdha…
16 Maj, 2025

Partia Demokratike çoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e Ilirjan Celibashit, i cili urdhëroi vazhdimin dhe përfundimin e...

Lexo më shumë

Sa paguhen deputetët në Gjermani?

Sa paguhen deputetët në Gjermani?
16 Maj, 2025

Bundestagu ka 630 deputetë, 100 më pak se ai i mëparshmi. Po si paguhen deputetët, sa janë të ardhurat e...

Lexo më shumë

Vengu me ministrin francez:Modernizojmë FA me radar të lëvizshëm për vëzhgimin ajror

Vengu me ministrin francez:Modernizojmë FA me radar të lëvizshëm për vëzhgimin ajror
16 Maj, 2025

Forcat Ajrore shqiptare do të pajiset me kapacitete të avancuara mobile të vëzhgimit ajror, ndërkohë që bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë...

Lexo më shumë

Von der Leyen publikon foto nga Samiti në Tiranë:Ndajmë një të ardhme të përbashkët

Von der Leyen publikon foto nga Samiti në Tiranë:Ndajmë një të ardhme të përbashkët
16 Maj, 2025

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar pas përmbylljes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë....

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com