Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Që Kumbaro të shpëtojë legjendën e saj civile

2018/03/26 at 11:35 AM
në Komente
Kohë leximi: 6 min
A A
Që Kumbaro të shpëtojë legjendën e saj civile

nga Elsa Demo:Sa herë e keni dëgjuar tregimin e Mirela Kumbaros për atë moment kur pranoi të bëhej ministre e Kulturës?


Për ata që e kanë humbur këtë copë historie personale me interes publik shkurt është kështu: “Unë vija nga shoqëria civile”, thotë Kumbaro deri në mërzi. E pas shumë hezitimesh për t’iu përgjigjur ftesës së Edi Ramës, ky i ka thënë: “Ke një jetë që kritikon, tani ka ardhur momenti të vish të ndezësh një qiri, pra të bësh një akt, ato që mendon se duhen bërë më mirë.”

Edi Rama formën më të lartë të aktivizmit e ka pasur me publicistikën e viteve të para të pasnëntëdhjetës, që karakterizohej nga kritika e mprehtë dhe gjuha e papërmbajtur, e cila, si një kalë beteje në fund të luftës, kur e futi kokën në sanën politike, krijoi përroin demagogjik “Kurban”.

Mirela Kumbaro formën më të lartë të aktivizmit e ka njohur me shkrime (në kohën e lirë), në qeverisjet e fundit të së djathtës, që kritikonin burokracinë dhe gjendjen e shërbimeve publike në bazë të përvojave të saj personale. Pra ajo nuk i ka përkitur ndonjë grupimi a kauze shoqërore a politike.

Qëndrimi i Edi Ramës ndaj artit dhe kulturës në epokën e tij të gjatë politike mbetet i pandryshueshëm, qëndrim mohues që e ka penguar atë të kapërcejë kompleksin e inferioritetit që ka si shqiptar dhe shtetar i një kulture të vogël e provinciale. Për pasojë ai nuk ka besuar në vendimmarrje të tilla që mund të kishin çuar në kthesa të nevojshme e të dobishme për zhvillimin e arteve dhe kulturës sonë.

Qëndrimi i Mirela Kumbaros, gjithnjë në raport me të shkuarën e saj civile-intelektuale, ashtu siç ajo e mëton në fjalimet politike, ka ndryshuar. Madje jo ndryshuar, por ka kaluar kundër shoqërisë civile, përderisa Teatri Kombëtar, çështja e ditës – çështje e gjithë qeverive të majta pas viteve 2000 – mbrojtja e tij nga kërcënimi politik dhe i bizneseve, është një kauzë e shoqërisë civile.

Aq jo-koherent është qëndrimi i Kumbaros, sa na shtyn të besojmë se origjina e saj prej shoqërisë civile të jetë një legjendë që ajo e ka krijuar qëllimisht. Një anëtar i shoqërisë civile i cili u jep zë interesave të qytetarëve, nuk kërkon asgjë si shkëmbim a përfitim, sepse në këtë mënyrë ai garanton pavarësinë nga kontrolli shtetëror e qeveritar, po edhe nga sfera e biznesit. Nga ana tjetër, përfshirja në aktivitet politik e një aktivisti të shoqërisë civile nuk është sakrilegj. Është një mundësi që me atë pjesëmarrjen e djeshme publike të ndikojë në vendimmarrjen qeveritare.

Kemi rastin të shohim përfundimisht tek Kumbaro kalimin nga intelektuali – ai që merr përsipër funksionin e vetëdijes kritike të realitetit shoqëror dhe të raporteve të pushtetit duke u bërë shpesh gjykues i ndërlidhjes midis shoqërisë dhe kulturës – te personaliteti autoritar, i cili pretendon nga vetja dhe të tjerët bindje dhe që mund të ndërtojë bazën për një shoqëri po ashtu autoritare dhe që i bindet një shefi.

Mandatin e parë ajo e nisi me forumet e hapura për të krijuar idenë e bashkëpunimit me komunitetet artistike, përfshi edhe komunitetin teatror. Por vendimet që ndërmori ishin autoritare, të natyrës ekonomike-financiare dhe jo ndërhyrje cilësore të politikëbërjes. Presioni i saj ndaj titullarit ka ndikuar vërtet në shtimin e numrit të shfaqjeve, por jo në cilësinë e tyre dhe ka rënduar statusin e vobektë ekonomik të artistit të teatrit. Nga ana tjetër ajo ka financuar më shumë se kurrë individë dhe kompani private të dyshimta, që i bëjnë sfidë Teatrit Kombëtar në skenën e tij. Sot ky grup hesht kundër vendimeve arbitrare të Kumbaros dhe qeverisë së saj për shembjen e teatrit.

Të vobektë, të verbër e shurdhë paskëshim qenë ne si media ndaj deklaratave që Kumbaro ka dhënë për teatrin në periudhën e saj të parë, kur thoshte se asnjë grosh nuk ka për të investuar në atë gërmadhë. Duhej ta kishim nuhatur skenarin që do ndodhte. Më e pakta të shtronim pyetjen: nëse kjo ministre Kulture ribëri nga e para shtëpinë e Kadaresë në Gjirokastër me qindra mijë dollarë dhe “Marubin” në Shkodër (dhe këtu i duhet njohur merita qeverisë së djathtë e cila bëri një akt të papërsëritshëm – krejt i kundërt nga akti i së majtës në partneritet me biznesin privat – bleu për 35 milionë lekë një ndërtesë private dhe e bëri pronë publike), përse Teatri Kombëtar nënçmohej?

Ne vetëm në flashback mund t’i lexojmë këto detaje si shenjat e një krimi të paralajmëruar.

Kumbaro ka kontroll të plotë mbi informacionin që duhet të qarkullojë në media. Është gjë e rrallë të autorizohet një specialist i ministrisë të flasë për çështjet e kulturës. Kontroll në këto nivele nuk ka ekzistuar në ministrat paraardhës. Rasti më i fundit është ai i drejtoreshës së Monumenteve të Kulturës, së cilës iu kërkua nga autorja e këtij shkrimi një analizë mbi statusin e Teatrit Kombëtar dhe ndryshimet që ka pësuar në vite. Përgjigjja ishte “duhet të marr leje te ministrja.” E njëjta gjë për Bibliotekën Kombëtare dhe problematikat e saj para e pas rënies së zjarrit, aty ku gazetari nuk lejohet të futet sepse gjendja nuk ndryshon shumë nga ajo e Teatrit Kombëtar.

Personazhi politik, autoritar ka deformuar te Kumbaro personazhin e shoqërisë civile, atë personazh që po hamendësojmë se mund të ketë luftuar dikur kundër kontrollit të informacionit si shkelje e lirisë dhe e një të drejte demokratike. Deformimi shkon deri në mashtrim e arrogancë. Nëpërmjet nesh gazetarëve, në studio televizive e në korridore të rastit, Kumbaro fillimisht gënjeu për ndryshimet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” që i bëri pa konsulencën e njerëzve që punojnë në këto fusha dhe mbrojti deri në fund gënjeshtrën e saj për ekzistencën e një plani të ri për Teatrin Kombëtar, plan që pronën publike ia dhuron biznesit privat.

Ministrja, e nëpërmjet saj edhe kryeministri, i konsideron njerëzit e artit dhe kulturës një bashkësi që mund të kryejë vetëm akte të pamenduara, njerëz pa individualitet, pa sens kritik, që sugjestionohen nga njëri-tjetri deri në acarim, që nuk meritojnë t’u kthesh përgjigje, madje mund t’i fyesh drejtpërdrejt “me regji qendrore”.

tha kryeministri ditën e prezantimit të projektit të ri për Teatrin Kombëtar.

Aktorët mund të jenë njerëz jo fort të ekuilibruar e pa ndonjë ndjeshmëri të lartë qytetare. Por ata që po vazhdojnë të mbështesin lëvizjen në mbrojtje të pronës publike po tregojnë se dinë të bëjnë një rol në skenë, po edhe një rol në jetë, në qytet. Në thelb secili prej tyre, edhe ai aktori më i paaftë, ka pjesën e historisë që duhet dëgjuar. Ata kurrë nuk kanë pasur një regjim të qëndrueshëm pune dhe krijimtarie. Ata nuk janë rrahur në skenë me gjithsej. Nuk patën regjisorë për të qenë, që si fëmijët t’i marrin përdore dhe t’u nxjerrin në pah talentin që fshehin jo pak prej tyre. U shkoi rinia dhe i kapi mosha e pensionit duke pritur e përcjellë drejtorë politikë. A nuk është i tillë Kiço Londo prej vitit 2003, në teatrin e Tiranës, në Teatrin Kombëtar më pas e tani në atë Eksperimental? Është emërim i përjetshëm i Edi Ramës dhe miratim i Mirela Kumbaros. Londos i njihet merita që ndërtoi salla, salla gjysmake, po ama politika e tij është: 5 premiera drejtori e 2 ç’të mbetet. Pa folur për dëmin e shëmtisë së shijes për teatrin. Politikë që vazhdon ta ndjekë në Teatrin Eksperimental “duke mos kërkuar llogari për metodat që do përdor në drejtimin e këtij institucioni, por për arritjet”. Riprodhohet deri në këtë nivel modeli autoritar i shefit të madh.

Kjo ndarje, ky funksion rolesh dhe thjeshtimi i njeriut tek statusi i tij, tek personazhi politik është kërcënim, sepse e kthen shoqërinë në një theatrum mundi ku e ke të vështirë të dallosh kufijtë e rolit prej kufijve të natyrës njerëzore. Pra ku janë kufijtë e Mirela Kumbaros aktore, në rolin e ministres së Kulturës dhe ku janë kufijtë e natyrës së saj njerëzore, qytetare? Janë zhdukur. Ka të ngjarë që ajo vetë nuk po i dallon dot. E që nesër ashtu si çdo pjesëmarrës në një krim të organizuar kundër njerëzimit të na thotë se si ministre kulture në vendimin për Teatrin Kombëtar KA BËRË VETËM DETYRËN.

Një mënyrë që njeriu ka për të ndërtuar të ardhmen është duke ruajtur të shkuarën. Leksion që Kumbaro e jep qoftë kur flet për historinë, për muzeun e Sigurimit, qoftë kur flet për Dritëroin, urat e kalatë. Ky parim për historinë kolektive vlen po aq për historitë individuale.

Ka një mënyrë që Kumbaro të shpëtojë të shkuarën e saj civile: t’i dalë kundër këtij projekti kriminal që dënon teatrin dhe qytetin dhe të japë dorëheqjen në rast se nuk i bën dot ballë shefit të saj, kryeministrit. Një vendim i tillë nuk ka për të ekuilibruar fuqinë e së keqes që është vota e shumicës së majtë në parlament, por ka vlerën e një “JO”-je nga brenda sistemit që kështu siç është ndërtuar ka ndrydhur çdo lloj forme rezistence.

Deri tani Mirela Kumbaro, personazhi dhe njeriu, është pjesë e klanit qeveri-bashki-privat, klan i cili po tregon se asgjë nuk e ndal në qëllimet e përbashkëta kundër ligjit dhe kundër shoqërisë.

 



Ju sugjerojmë

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!
Komente

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!

30 Qershor, 2021 8:55 pm
Dilema e hebrenjve
Komente

Dilema e hebrenjve

8 Prill, 2019 2:14 pm
Erjon Uka
Komente

Jo dembelë, por të pamotivuar

6 Prill, 2019 12:02 pm
Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi
Komente

Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi

5 Prill, 2019 3:15 pm
Erjon Uka
Komente

Lavdërim i paaftësisë

23 Mars, 2019 9:15 pm
A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?
Komente

A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?

25 Shkurt, 2019 8:13 am
Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë
Bota

Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë

23 Shkurt, 2019 8:00 pm
Antisemitizmi në rritje
Komente

Antisemitizmi në rritje

22 Shkurt, 2019 12:33 pm
Mustafa Nano: Problemi ynë nuk janë tradhtarët, por trutharët
Komente

Basti i rëndë dhe i rrezikshëm i Lulzim Bashës

20 Shkurt, 2019 11:38 am
Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen
Bota

Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen

17 Shkurt, 2019 12:30 pm
Para
Miriam Cani na rrëfen huqin që ka Albani

Miriam Cani na rrëfen huqin që ka Albani

Nisma e LGBT-së në gjimnaze. Flet psikologia: Mungesë informacioni për të realizuar qëllimin

Nisma e LGBT-së në gjimnaze. Flet psikologia: Mungesë informacioni për të realizuar qëllimin

Shkrirja e KLD/ Nishani: Rrezikohet që kriminelët të dalin nga burgu

“Familjet mafioze i njohin të gjithë, ata vendosin për drejtorët dhe lejet e ndërtimit”, Nishani sfidon Xhafën: Pse nuk i godet?
















TE FUNDIT

18 të plagosur nga sulmi në Hamburg/ 6 persona në rrezik për jetën

18 të plagosur nga sulmi në Hamburg/ 6 persona në rrezik për jetën
24 Maj, 2025

6 nga 18 personat e plagosur në një sulm me thikë në stacionin hekurudhor të Hamburgut pasditen e së premtes...

Lexo më shumë

Të dielën nis stërvitja “Defender Europe 25”

Të dielën nis stërvitja “Defender Europe 25”
24 Maj, 2025

“Prej kësaj të diele, nis stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 25”, një nga më të mëdha në dekadat e fundit në...

Lexo më shumë

Stuhi e fuqishme në Serbi/ Beogradi përmbytet nga reshjet e dendura dhe breshëri

Stuhi e fuqishme në Serbi/ Beogradi përmbytet nga reshjet e dendura dhe breshëri
24 Maj, 2025

Stuhi e fortë e shoqëruar me reshje të dendura shiu, breshër dhe vetëtima ka goditur shumë pjesë të Serbisë. Ministria...

Lexo më shumë

Akuzat për kanabis/ Vis Pupa: Situata, pjesë e një procesi ligjor në zhvillim

Akuzat për kanabis/ Vis Pupa: Situata, pjesë e një procesi ligjor në zhvillim
24 Maj, 2025

Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa ka reaguar pasi mediat e Australisë raportuan se ai dhe bashkëshortja e tij,...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com