Kryeministri Edi Rama ka reaguar të shtunën për protestën pranë tunelit të Kalimashit, ku qindra qytetarë të qarkut të Kukësit dhe shumë të tjerë të ardhur nga Kosova, shkatërruan dhe i vunë flakën kabinave të pagesës në shenjë proteste.
Përmes një shënimi të shkurtër, Rama thekson se dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrë përgjigjen e merituar.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit ndaj kujtdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!“,- shkruan Edi Rama në Facebook.