Një pjesë e Tiranës po vuan mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë korriku, kur temperaturat kanë arritur kulmin. Qytetarët ankohen për mungesën e shërbimit, ndërsa UKT justifikohet duke thënë se shkak është amortizimi i rrjetit dhe abuzimet.
Në kohën kur temperaturat e larta kanë prekur pikun, një pjesë e banorëve të Tiranës po përballen me probleme të furnizimit me ujë të pijshëm. Zona jugore e kryeqytetit ka ndërprerje të vazhdueshme. Në Sauk, Farkë dhe Selitë, qytetarët furnizohen me autobotë.
Drejtuesit e ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve thonë se shkak janë defektet e shpeshta, pasi rrjeti është i amortizuar.
“Janë pjesa e Saukut, Farka, Selita pjesa e lartë. Përveç problemeve me furnizimin që mund të kenë, është një zonë që ka rritje shumë të madhe. Dhe këtu kemi probleme me furnizimin, por jo ndërprerje. Kemi defekte që na kanë ndodhur në këto zona dhe jemi munduar që me të gjithë grupet e punës t’u përgjigjemi në kohë reale defekteve, për shkak të linjave të amortizuara që kemi”, thotë Dorian Korbeci.
Një tjetër problem, sipas UKT-së, është abuzimi me ujin e pijshëm.
“Kur na ndodh një defekt, shkëputet dhe kemi humbje në rrjet 1–2–3 ditë në varësi të defektit. Kjo periudhë e verës rrit edhe abuzimet me ujë, vaditje të ndryshme që bëhen akoma.”
Pjesa më e madhe e Tiranës furnizohet nga impianti i Bovillës.
“75% të mbulimit të zonës së Tiranës e furnizojmë nga impianti i Bovillës, dhe 25% ngelen nga Selita dhe Shën Mëria. Kjo zonë është jugu i Tiranës. Stacioni i Bovillës nuk ka probleme me nivelin.”
Kryeqyteti vijon të furnizohet me orare, të cilat janë përcaktuar një vit më parë dhe, sipas UKT-së, këto orare nuk mund të ndryshojnë.
Tv Klan

















