Aktualitet

Paketa e korrigjimeve


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:14 - 21/10/18 |
b.f

Projekt-paketa fiskale e vitit 2019 është përqendruar në korrigjime dhe korrektime në rreth 6 ligje të tatimeve dhe taksave, me qëllim për të mënjanuar evazionin dhe shmangien fiskale që u krijua kryesisht nga paketat e tre viteve të mëparshme.
Nga ndryshimet lehtësohen punonjësit me paga të larta dhe bizneset e mëdha. Disa sektorë si fasoni, bujqësia, farmaceutika përftojnë përjashtime të TVSH-së. Akciza vijon të rritet për cigaret dhe bitumin, ndërsa procedurat tatimore riparohen për të shmangur evazionin

Paketa me ndryshimet fiskale, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2019, parashikon ndërhyrje të karakterit korrigjues dhe riparues në rreth 6 ligje kryesore fiskale, si TVSH, Akciza, Taksat vendore, Tarifat Doganore, Akcizat dhe Tatimi mbi të Ardhurat, me synim mbylljen e disa “xhepave” që ishin bërë shkak për evazion dhe shmangie fiskale.

Paketa ka karakter lehtësues në një pjesë të madhe të saj dhe efekti neto në buxhetin e shtetit përllogaritet gjatë vitit 2019 në plus 1.4 miliardë lekë.
Ndryshimet e programuara sjellin më së shumti lehtësime për një pjesë të bizneseve të mëdha dhe punonjësve me paga të larta.

Eksperti fiskal, Ahmet Gjinishi, i vlerësoi propozimet e bëra si një tendencë për të përmirësuar situatën e tatimpaguesve. Një pjesë e mirë janë korrigjime të praktikave të gabuara fiskale të aplikuara ndër vite, por gjithsesi shihen propozime të reja për të rregulluar disi klimën e biznesit të madh dhe për punëmarrësit me pagë mbi maksimalen, shpjegoi ai.

Drejtori i Politikës Fiskale, Ministrinë e Financave, Niko Lera, tha se Paketa Fiskale e 2019 përmirëson më tej klimën e biznesit dhe limiton mundësitë për shmangie fiskale.
Ndryshimet më të rëndësishme të paketës përfshijnë ndërhyrje në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Ngarkesa fiskale për të punësuarit do të ulet, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130.000 lekë në muaj në 150.000 lekë në muaj, që tatohen me normën 13%.

Nëpërmjet kësaj mase, Ministria e Financave përllogarit që të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës me një efekt negativ në buxhetin e shtetit me rreth 1 miliard lekë. Kjo kategori punonjësish do të ketë përfitim mujor 2600 lekë, por eksperti Gjinishi thotë se, kjo masë nuk do të ketë ndikim social, për faktin se kjo fashë e punëmarrësve janë të mbipaguar krahasuar me nivelin mesatar të pagave në vendin tonë.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në 8% në janar 2019 nga 15% që është aktualisht. Kjo masë ka efekt statistikor negativ me 1 miliardë lekë në të ardhurat buxhetore të 2019, por Ministria e Financave parashikon të rrisë arkëtimet me rreth 2 miliardë lekë, për shkak të rritjes së pritshme të deklarimeve e kompanive që paguajnë këtë tatim. Shqipëria ka nivelin më të lartë të tatimit korporativ në rajon. Tatimi mbi fitimin është 15%, ndërsa në momentin kur aksionerët shpërndajnë fitimet, ata duhet të paguajnë 15% mbi masën e përfituar.

Ky tatim u bë 15% më 2014 nga 10% që ishte më parë në kuadër të reformimit të politikës fiskale që ndërmori qeveria socialiste që sapo erdhi në pushtet, duke rikthyer taksën progresive me taksën e sheshtë që lanë të djathtët. Por përshkallëzimi në rritje i tatimit duket se nuk ka sjellë të ardhurat e pritura, përkundrazi është bërë shkak për evazion. Bizneset e mëdha kanë manovruar në dy mënyra, ose duke fryrë shtesën në kapital, ose duke mos shpërndarë fitimet, thotë eksperti Gjinishi.

Ndryshime janë paraparë edhe në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku themelore është përjashtimi nga TVSH-ja e lëndëve të para për industrinë fasone dhe gjithashtu, propozohet që furnizimi i makinave bujqësore, i përjashtuar jo vetëm në import, por edhe brenda vendit.

Ndryshime me efekt në nivelin e tatimit janë bërë edhe në ligjin për akcizat. Rritja vijoi ndryshimin e nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani, duke e çuar taksimin në 6 mijë lekë për kilogram nga 4400 që është aktualisht. Gjithashtu, u shtua një produkti të ri “duhan me ngrohje”, në listën e mallrave të akcizës. Ndërsa akciza u hoq për fishekzjarrët, llambat, pilat/bateritë dhe “rëra bituminoze”. Gjithashtu është propozuar që akciza e bitumit të rritet me 2 lekë për litër, çka pritet të vërë në vështirësi aktivitetin e 5 operatorëve të fushës, pasi taksimi zë më shumë se 80% të çmimit.

Në ligjin për taksat kombëtare janë propozuar dy ndryshime kryesore. I pari, projektligji propozon që përqindja e rentës minerare nga 6%, të bëhet 9%, për “Mineralet e kromit për eksport”. Kjo masë, sipas Ministrisë së Financave, synon të nxisë përpunimin e mineralit në vend, me synim rritjen e vlerës së shtuar.

Ndryshimi i dytë synon uljen e taksës së ambalazheve mbi produktet e plastikës në 35 lekë, nga 100 lekë për kilogram që është aktualisht. Për prodhimin brenda vendit, niveli i propozuar i taksës është 25 lekë/kg.
Ndryshimet kanë përfshirë edhe ligjin për taksat vendore, të cilat synojnë riparimin e paqartësive në zbatimin e ligjit ekzistues.

Projektligji i propozuar rregullon edhe nenin 27 “Taksa e ndikimit në infrastrukturë”, i cili aktualisht ka mjaft probleme në interpretimin dhe zbatimin e tij. Duke u nisur nga rastet e trajtuara për interpretim të kategorive të investimeve në infrastrukturë dhe shpesh ndarjen e gabuar të tyre është propozuar riformulim për të shmangur paqartësitë e krijuara në ligjin aktual. Gjithashtu janë bërë rregullime edhe në ligjin për taksën e tabelës, po pa ndryshuar vlerat e saj.

Ndërhyrje janë bërë edhe në ligjin për procedurat tatimore. Ndryshimet synojnë të limitojnë mundësitë për shmangie fiskale. Janë përmirësuar rregullat e regjistrimit dhe të pajisjes me NIPT/NUIS të personave fizikë tregtarë, për të administruar këtë kategori tatimpaguesish në deklarimin e saktë të të ardhurave të realuzuara, kur fiktivisht coptojnë regjistrimin vetëm me qëllim shmangie tatimi duke mbajtur më shumë se një NIPT/NUIS.

Në propozimet e paraqitura në këtë projektligj, synohet gjithashtu përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.

Ulet dividendi në 8%, lehtësohen bizneset e mëdha

Rritja e tatimit mbi dividendin nga 10 në 15% në vitin 2014 ka nxitur evazionin për këtë tatim. Në vitin 2017, të ardhurat nga dividendi ishin vetëm 178 milionë lekë me rënie 81%, në raport me vitin 2013, kur tatimi ishte 5 pikë përqindje më i ulët. Për të ulur barrën tatimore, e cila më 2014 u rëndua edhe nga tatimi më i lartë mbi fitimin, bizneset nisën të përdorin disa mjete brenda ligjit për të shmangur pagesën e dividendit. Shumë prej shoqërive të mëdha kanë mbajtur pa shpërndarë fitimin për disa vite, për të shmangur tatimin dhe të tjera kanë bëra shtesa “fiktive” në kapital.

Në dijeni të këtij mekanizmi, Ministria e Financave ka vendosur që në Paketën Fiskale të 2019-s të ulë tatimin mbi dividendin në 8%. Ky lehtësim do të përfshijë edhe fitimet e pashpërndara të 2017-s dhe të viteve të mëparshme nëse nuk janë kapitalizuar.

Eksperti Gjinishi tha se bizneset prej kohësh e kërkonin këtë lehtësim. Ai tha se momentalisht bizneset e shohin të pamundur pagesën prej 15% për shpërndarje të dividendit. Kjo vjen edhe për shkak të informalitetit të akumuluar ndër vite dhe mosjustifikimi për fluksin dalës të parasë së fryrë në llogaritë e kapitalit.
Gjinishi shpjegoi se disa kompani kanë rritur kapitalin shoqëror dhe disa vijojnë të mbajnë këtë shumë ndër vite si fitim të pashpërndarë.

Përvoja ka treguar se tatimet kanë dështuar disa herë kur kanë tentuar të shfryjnë llogaritë e aktiveve afatshkurtra të shoqërive, duke i detyruar të paguajnë dividend, shpjegon më tej eksperti. Kjo situatë ka prodhuar për vite me radhë informalitet në nivele të larta 60-70%. Ai tha se ulja e normës së tatimit do të nxisë të gjitha bizneset që të përmirësojnë situatën e tyre në pasqyrat financiare, me një kosto pothuajse të përgjysmuar.

“Miratimi i këtij ligji për 90% të biznesit të madh do të sjellë brenda 6-mujorit të parë të 2019 pagesë dividendi në mbi 70% të fitimeve të pashpërndara”, tha Gjinishi. Ministria e Financave pret në vitin 2019 të arkëtojë 2 miliardë lekë më shumë nga dividendi, si rrjedhojë e rritjes së deklarimeve nga ulja e tatimit.

Tentativa për të shmangur evazionin në pagat e larta

Tatimet e kanë pranuar më herët, që norma e lartë e tatimit progresiv mbi pagat deri në 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë në muaj (më e larta në rajon) ka nxitur një skemë të lartë shmangieje, duke shfrytëzuar diferencën e madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla.

Kontabilistët shpjeguan se individë me paga të larta janë regjistruar si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit, po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.

Por me Paketën Fiskale të vitit 2019, në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, dhe Ligjin për Procedurat Tatimore, janë bërë disa ndërhyrje që synojnë të limitojnë abuzimet me shmangien fiskale në pagat e larta.
Masa e parë ul ngarkesën fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130.000 lekë në muaj në 150.000 lekë në muaj, që tatohen me normën 13%. Nëpërmjet kësaj mase synohet të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës.

Ndërsa masa e dytë përfshin disa ndërhyrje në ligjin e procedurës tatimore, të cilat u japin të drejtë tatimeve të rikategorizojnë tatimpaguesin kur ai paraqet një fytyrë të rreme të të ardhurave. Drejtori i politikës fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, tha për “Monitor” se, ndryshimet e propozuara në ligjin e procedurës synojnë t’i japin zgjidhje disa elementëve të shmangies fiskale që janë krijuar nga masat fiskale në fuqi.

Ja një shembull si do të trajtohet shmangia e punonjësve me paga të larta. Një mjek që paguhet në spital privat me rrogë 5 mijë euro në muaj, pas rikthimit të tatimit progresiv më 2014, paguan mbi shumën 1 mijë euro 23% tatim; për vlerën 4 mijë euro, nga 10% që paguante më parë.
Për të shmangur detyrimet e larta nga tatimet, shumë nga këta persona u regjistruan si biznese të vogla duke i faturuar shërbimet e tyre.

Zoti Lera tha se në ndryshimet e reja ligjore, sanksionohet përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.

Neni 7 i propozuar në Procedurën tatimore është një nen i përgjithshëm, që lejon administratën tatimore të rikarakterizojë transaksionet dhe të llogarisë detyrimin ligjor kur me veprimet apo transaksionet e kryera, tatimpaguesi ka synuar të shmangë ligjin, duke prezantuar pamje të rremë të veprimtarisë së tij.
Këtë mision e ndihmon edhe ulja e pragut të TVSH-së për bizneset me xhiro 2 milionë lekë.

Kjo do të thotë se një person që ka pagesë mujore 170 mijë lekë, nëpërmjet verifikimit të transaksioneve bankare, administrata tatimore e përfshin menjëherë në TVSH. Kjo masë, sipas zotit Lera, do të dekurajojë punëmarrësit me rroga të larta të bëjnë shmangie fiskale.

Por nëse të ardhurat vjetore i kalojnë 5 milionë lekë të vërtetuara nga transaksionet bankare ai tha se këto persona do të paguajnë tatim fitimin e thjeshtuar 5 % plus TVSH-në 20%.
Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit ne rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor

Në rastet kur një apo disa tatimpagues kryejnë veprime, apo hyjnë në transaksione direkte apo indirekte me persona të tretë, ku:

  1. a)veprimet e ndërmarra nga tatimpaguesi deformojnë parimet e ligjit tatimor
  2. b)veprimet/transaksionet nuk bazohen në parimin e vlerës së tregut;
  3. c)veprimet/transaksionet janë pa efekte ekonomike thelbësore;

ç) forma e veprimit/ transaksionit nuk reflekton thelbin e tij ekonomik;

  1. d)evidentohen elemente të veprimeve/transaksioneve që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore,

Për përcaktimin e detyrimit tatimor, administrata tatimore nuk merr parasysh një veprim/transaksion apo një seri veprimesh/transaksionesh, të cilat, duke qenë se janë ndërmarrë me synim përfitimin e një avantazhi tatimor, që vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjit, rezultojnë fiktive në bazë të të gjitha fakteve dhe rrethanave.
Kur një veprim/transaksion apo seri veprimesh/transaksionesh janë në kushtet e paragrafit “1” më sipër, veprimi/transaksioni rikarakterizohet dhe detyrimi tatimor llogaritet në përputhje me dispozitat për vlerësimin tatimor alternativ të këtij ligji dhe ligjeve të tjera tatimore.”.

TVSH, thellohen përjashtimet

Përjashtimet dhe pragjet për pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar kanë vijuar edhe Paketën Fiskale të vitit 2019, edhe përkundër rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka këshilluar qeverinë të heqë bonuset përjashtimeve, pasi ato shndërrohen në kanale të evazionit fiskal. Por ndryshimet e propozuara së fundmi synojnë të rikthejnë përjashtimin nga TVSH-ja të lëndëve të para për industrinë fasone.

Propozimet e reja synojnë nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në kuadër të dixhitalizimit të mediave audiovizive (televizionet), pasi është propozuar që shkalla e reduktuar 6% e TVSH-së të aplikohet edhe për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive (televizionet).

Me qëllim futjen dhe nxitjen e përdorimit të autobusëve elektrikë në ofrimin e shërbimit të transportit publik të udhëtarëve, është propozuar që furnizimi i tyre të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së 20%, por të aplikohet një shkallë e reduktuar prej 10%.

Gjithashtu, me qëllim lehtësimin e kostove të investimit dhe vijimin e mbështetjes së sektorit bujqësor, është propozuar që furnizimi i makinave bujqësore, të jetë furnizim i përjashtuar jo vetëm në import, të funksionojë edhe brenda vendit.

Është propozuar të përjashtohen nga TVSH-ja importi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave, me përjashtim të lëndëve me përdorim të dyfishtë, të kryera nga mbajtësit e autorizimit të prodhimit, sipas legjislacionit të fushës për barnat. Lista e lëndëve të para për prodhimin e barnave, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kostoja e të gjitha këtyre përjashtimeve arrin në minus 300 milionë lekë në buxhetin e vitit 2019.

Taksat kombëtare, ndryshon renta dhe taksa e ambalazheve

Strukturat e Bashkimit Europian kanë kritikuar diferencimin ndërmjet taksës së ambalazheve plastike që importohen dhe atyre që prodhohen në vend nga riciklimi. Ndryshimi është 1:100. Taksa e ambalazheve plastike është 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Taksa e ambalazheve plastike për ambalazhet e prodhuara nga industria vendase e riciklimit të mbetjeve plastike është 1 lekë/kg.

Industria vendase e prodhimeve ushqimore ka ngritur në dy vitet e fundit shqetësimin për konkurrencën e pandershme në lidhje me pagimin e kësaj takse, kryesisht nga prodhuesit vendas, si dhe ka propozuar rishikimin e saj me arsyetimin se taksa e ambalazhit plastik në importin e tij paguhet e plotë, ndërkohë që prodhuesit vendas deklarojnë sasi minimale prodhimi të ambalazhit plastik që ka taksë 100 lekë/kg, dhe deklarojnë lëndë e parë plastike “jo ambalazh”, që nuk ngarkohet me këtë taksë.

Duke pasur parasysh se p.sh. në industrinë e prodhimit të ujit, ambalazhi plastik përbën 51% të kostos, prodhimi i ujit nga operatorë të cilët furnizohen me ambalazh plastik nga prodhues vendas që nuk e raportojnë si të tillë dhe nuk paguajnë taksën për të, krijon konkurrencë jo të ndershme dhe informalitet në këtë sektor.

Sipas të dhënave statistikore, vetëm 9-10% e taksës nga ambalazhi plastik arkëtohet nga prodhimi vendas, ndërkohë që 90-91% e taksës nga ambalazhi plastik arkëtohet nga importi. Bazuar në importin e lëndës së parë, granulat, vlera e taksës mesatare të arkëtuar sipas llogaritjeve është 5-7 lekë/kg, nga 100 lekë/kg që është niveli i taksës për prodhim ambalazhi.

Me anë të këtij projektligji propozohet që niveli i ri i taksës që do të aplikohet mbi produktet e plastikës të jetë 35 lekë, pra sa 1/3 e nivelit ekzistues (prej 100 lekë/kg).
Për të nxitur përpunimin e kromit në vend, qeveria ka vendosur të rrisë rentën minerare në 9% më 2019 nga 6% që është aktualisht për ferrokromin. Vendi ynë eksporton në një vit 500 mijë tonë mineral kromi, ku 135 mijë tonë eksportohet i përpunuar si ferrokrom (50 mijë tonë ferrokrom).

Vlera e shtuar brenda vendit rritet nga përpunimi i ferrokromit. Nëse vlera e 135 mijë tonë krom që është përpunuar me çmimet e vitit 2017 ka qenë 3 miliardë lekë, vlera e 50 mijë tonë ferrokrom të prodhuar dhe të eksportuar ka qenë 10,2 miliardë lekë, pra 3,4 herë më i lartë. Nëse marrim në konsideratë prodhimin dhe eksportin e kromit në periudhën 2011-2017, rezervat e njohura të mbetura të kromit llogariten në rreth 5,5 milionë tonë.

Qeveria arsyeton se, nëse do të vazhdohet me të njëjtin nivel të eksportit të mineralit të kromit (500 mijë tonë në vit) dhe i njëjti nivel mineral kromi që shkon për prodhimin e ferrokromit nga industria vendase (135 mijë tonë krom me të cilin prodhohet 50 mijë tonë ferrokrom) rezervat e kromit në Shqipëri do të kishin jetëgjatësi rreth 8 vjet. Pra nëse rezervat e njohura të kromit shfrytëzohen me një intensitet të tillë duke eksportuar pjesën dërmuese të tij në formë të papërpunuar, industria e ferrokromit në Shqipëri duhet të mbyllet brenda një 10 -vjeçari. Miratimi i këtij projektligji do të sjellë efekt pozitiv prej afërsisht 500 (pesëqind) milionë lekë.

Akciza, vijon rritja për cigaret dhe bitumin, përjashtohen fishekzjarrët

Paketa Fiskale 2019 ndryshon nivelin e akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani, duke e çuar atë në 6000 lekë për kilogramë nga 4400 që është aktualisht. Në listën e akcizës shtohet produkti i ri “duhan me ngrohje”, teksa hiqen nga lista fishekzjarrët, llambat, pilat/bateritë dhe “rëra bituminoze”.

Do të ketë rritje me 2 lekë për kilogram për “zhavorr bituminoz”. Ministria e Financave argumenton se rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, si produkt me efekte negative në shëndet, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Efektet në buxhetin e shtetit nga të gjitha ndryshimet në ligjin e akcizës vlerësohen pozitive, përafërsisht në masën 184 milionë lekë.

Taksat vendore, sqarohen paqartësitë

Ndryshimet në ligjin e taksave vendore janë pjesë e Paketës Fiskale 2019. Ndryshimet synojnë thjeshtëzimin pasi në praktikën e deritanishme konstatohen interpretime jo të qarta e të sakta, si dhe procedura të gabuara të zbatimit të tyre nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Disa nga anekset që i bashkëlidhen ligjit në fuqi, janë formuluar sipas organizimit të vjetër territorial të Republikës së Shqipërisë, duke mos pasqyruar ndryshimet e ndarjes së re territoriale. Nisur nga ky qëllim, anekset janë rikonceptuar dhe formuluar në mënyrë më të thjeshtë, sipas kategorisë së bashkive të reja.

Projektligji i propozuar rregullon edhe nenin 27 “Taksa e ndikimit në infrastrukturë”, i cili aktualisht ka mjaft probleme në interpretimin dhe zbatimin e tij. Duke u nisur nga rastet e trajtuara për interpretim të kategorive të investimeve në infrastrukturë dhe shpesh ndarjen e gabuar të tyre, sipas klasifikimeve.

Sipas ndryshimeve të reja për ndërtime që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, bujqësisë; të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës; si dhe të ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1 (një) deri në 3 (tre) % e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 (dy) deri 4 (katër) % e saj.
Ndërsa taksa e tabelës ka një klasifikim të ri sipas qëllimit teksa aktualisht ishte koncepti i madhësisë. Sipas propozimeve të reja për qëllime fiskale, tabelat kategorizohen në:

1- Tabelë për qëllime identifikimi, e trupëzuar ose jo, brenda territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe që nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri dhe/ose aktiviteti i biznesit);

2- Tabelë për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit në formën dhe përmasat e tabelave për orientim;

3- Tabelë për qëllime reklamimi e lëvizshme ose e palëvizshme;

4-Tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola, etj.
Kur në sipërfaqen e tabelës identifikuese përfshihet edhe germa, simbole dhe figura për qëllime reklamimi të një apo më shumë produktesh apo shërbimesh që furnizohen nga vetë njësia ku është vendosur tabela, kjo tabelë vlerësohet si tabelë identifikuese dhe taksa llogaritet për këtë kategori tabele. Në rast të kundërt, tabela vlerësohet si tabelë reklamimi dhe taksa llogaritet për tabelën për qëllime reklamimi.

Në rast të përdorimit nga taksapaguesi të më shumë se një tabele identifikuese, përveç atyre orientuese, vlerësohet si tabelë identifikuese vetëm ajo tabelë që është e trupëzuar ose jo në njësinë apo brenda territorit ku ushtrohet veprimtaria e taksapaguesit, ose që ndodhet më pranë njësisë, ose vetëm një nga tabelat, kur ka më shumë se një të tillë në njësinë apo territorin ku ushtrohet veprimtaria e tij. Çdo tabelë tjetër e tillë konsiderohet si tabelë për qëllime reklamimi dhe taksa llogaritet dhe paguhet për këtë kategori tabele.
Mirëpo Këshilli Bashkiak është autoriteti i cili vendos nivelin e bazës së taksës për çdo kategori të tabelave.

Procedurat tatimore ndryshojnë me fokus antievazionin

Ligji aktual i procedurës tatimore ndryshon më 2019 me synimin që të rregullojë disa mangësi, që ende vërehen në praktikën e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe lënë hapësirë për shmangie të deklarimit dhe pagesës së detyrimeve reale nga tatimpagues, që synojnë të konkurrojnë në mënyrë të pandershme tregun e brendshëm për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, argumenton Ministria e Financave.
Këto ndryshime synojnë të ulin mundësitë për copëtimin në shumë biznese për të shmangur TVSH dhe gjithashtu synojnë të ulin evazionin në pagat e larta.

Ndryshimet e propozuara, synojnë gjithashtu, përmirësimin e rregullave të regjistrimit dhe të pajisjes me NIPT/NUIS të personave fizikë tregtarë, për të administruar këtë kategori tatimpaguesish në deklarimin e saktë të të ardhurave të realizuara, kur fiktivisht copëtojnë regjistrimin vetëm me qëllim shmangie tatimi, duke mbajtur më shumë se një NIPT/NUIS.

Në propozimet e paraqitura në këtë projektligj, synohet gjithashtu përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.

Një ndryshim me rëndësi i propozuar, lidhet me qartësimin e procedurave të njoftimit për pagesën e detyrimeve tatimore, të pagesës dhe radhës së pagesave, duke e bërë më të thjeshtë zbatimin e këtyre procedurave në praktikë dhe duke shmangur problematikat e vërejtura në praktikë. Këtu vlen të theksohet edhe përfshirja në ligj e njoftimit të tatimpaguesit edhe në rrugë elektronike, si formë zyrtare njoftimi.

Në projektligj, propozohen edhe rregullime të procedurës së deklarimit të detyrimit tatimor të pambledhshëm dhe hapave që do të ndiqen nga administrata tatimore në zbatimin e procedurës.

Gjithashtu, ndryshime propozohen edhe në trajtimin e kundërvajtjeve administrative, ku vlen të theksohet një shtesë me rëndësi në nenin 124, që në rast se tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba e vendosur nga administrata tatimore reduktohet me 30 për qind.

Burimi: Monitor

 

Pas