-Jetë dhe Stil

Njihuni me gruan që po lufton korrupsionin në Rumani


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:32 - 06/11/15 |
root

Vendimi i Victor Pontas për të dhënë të mërkurën dorëheqjen si kryeministër i Rumanisë mund të mos jetë fundi i zotimeve të tij. Protestat e rrugës këtë javë ishin kulmi i muajve të tërë të presionit të nxitur pas rastit për mashtrim dhe korrupsion ndaj tij.

Ponta nuk është i vetmi. Një mori politikanësh, kryetarësh të qyteteve, gjykatësit dhe prokurorësh janë shënjestruar në prirjen antikorrupsion që nuk shihet në vendet e tjera në Evropën Lindore – ose edhe diku tjetër nëpër botë. Dhe është një kryeprokurore, që nuk duket pretenduese, Laura Codruta Kövesi, që ka përvjelë mëngët.

«Drejtësia rumune para vitit 2005 nuk ishte e pavarur», thekson Kövesi, 42 vjeçare, gjatë një interviste të dhënë para dorëheqjes së zotit Ponta. «Kjo ka qenë arsyeja pse nuk ka pasur hetime të hapura të ndërlikuara kundër zyrtarëve të nivelit të lartë».

Një agjenci e specializuar antikorrupsioni, e njohur me shkurtesën DNA, ishte themeluar më 2003, dhe ishin dashur disa vite derisa ishte përqendruar në korrupsionin e nivelit të lartë, raste që përfshinin ryshfet mbi dhjetë mijë euro – dhe kështu nisi të jepte rezultate pozitive ndjekja e rasteve.

Tani janë 120 prokurorë që punojnë në më shumë se gjashtë mijë raste. Janë ekipe të shumta televizive që presin para objektit të prokurorisë duke pritur se kush mund të jetë i intervistuari i radhës.

«Sivjet kemi hetuar 12 anëtarë të parlamentit, dy prej të cilëve ish-ministra», thekson Kövesi, që ishte emëruar në këtë detyrë më 2013. «Kemi hetuar dy ministra në detyrë, njëri prej të cilëve ka shkuar prej karriges ministrore drejt e në paraburgim».

Sipas kryeprokurores, hetimet për kryeministrin në largim kanë zgjatur katër muaj, në fund të të cilave është ngritur aktakuzë me shumë pika të falsifikimit, shpëlarjes së parave dhe për shmangie të taksave që datonin gjatë periudhës ndërmjet viteve 2007-2008 kur ishte ende avokat praktikant.

Nuk ka kaluar një javë qysh se Kövesi është sulmuar në media. Pasi i ishte ngritur zyrtarisht aktakuzë, Ponta shkroi në faqen e tij në Facebook se problemi i vetëm i Rumanisë ishte «fiksimi i një prokuroreje totalisht joprofesionale që mundohet të bëjë emër duke shpikur dhe imagjinuar fakte dhe situata të paqena të para dhjetë vitesh».

Kritikat dhe vëmendja publike duket se kanë ndikim të vogël në punën e Kövesit.

«Para se të emërohesha kryeprokurore e DNA-së, isha prokurore e përgjithshme e Rumanisë për gjashtë vjet me radhë, kështu që gjatë nëntë viteve të kaluara kam pasur kohë të mjaftueshme për t’u mësuar me këso gjëra. Fatmirësisht ka edhe njerëz që më lavdërojnë, kështu gjërat janë të balancuara», thekson ajo.

Sfida më e madhe për prokurorët vjen prej politikanëve, konfirmon Kövesi. «Pothuajse çdo të dytën javë deputetët dalin me një ligj të ri duke u munduar të ndryshojnë ose amandamentojnë provizionet aktuale. Mundohen ta ndryshojnë kodin penal. Mundohen të kufizojnë mundësitë tona të hetimeve. Por është interesante se kurrë nuk miratojnë ligje që do të na ndihmonin më shumë», thekson ajo.

Përkrahja e madhe në Rumani dhe brenda BE-së e ka bërë më të zorshme për dobësimin e përpjekjeve dhe vënien në dyshim të pavarësisë së DNA-së. «Sa herë dëgjojmë se mundohen të miratojnë një ligj të ri për kufizimin e mundësive tona, dalim në publik dhe mbajmë qëndrim për këtë çështje», shton Kövesi.

Pavarësisht të gjitha këtyre, ende ka rrugë të gjatë para. Rumania është radhitur e fundit në mesin e shteteve anëtare në indeksit të perceptimit të korrupsionit të vitit të kaluar të «Transparency International», poshtë Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Por, kryeprokurorja thotë se së paku po vërehet një ndryshim në Rumani. /Historia ime

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas