Një mësues dhe ish-drejtues i PS në zonën e Pukës i shkruan Ramës për degradimin e rrugës Reps-Fushë Arrëz e cila po izolon fshatra të tërë. Kjo arterie dikur lidhte Shqipërinë me Kosovën. Ai sjell edhe dëshmitë e turistëve që vizitojnë Luginën e bukur të Fanit por që thonë se mund ta braktisin për shkak të kësaj rruge që ka marrë shumë jetë njerëzish…
Nga Mark MESULI
Ky është alarmi që jepet tashmë dhe nga të huajt, turistët që vizitojnë këto vende të epërme, të bekuara nga natyra, me pyje, ujëra, minerale, bimësi etj. Thirrjet e njerëzve të Gjegjanit, Gojanit, Kalivares, Shkozës, Fushë-Arësit, Qafë-Malit bien në vesh të shurdhër prej vitesh.
Në Ministrinë e Transporteve s’e ka ngritur njeri telefonin, le pastaj të marrë rrugën për në këto male e lugina të harruara ministri, drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve etj. E, pra, është një ndër zonat më të pabraktisura veriore, me mbi njëzet mijë banorë, ku qarkullojnë përditë autobusë të linjës së Tiranës, Durrësit, Lezhës, furgonë, autovetura dhe mjete të rënda transporti të minierave të Munellës e Tuçit, e megjithatë rruga është copë-copë, më keq se asnjëherë në historinë e saj tetëdhjetëvjeçare.
Shto këtu interesin që po shfaqin gjithnjë e më shumë turistët, por ata sapo të shohin rrugën në këtë gjendje kthehen mbrapsht.
Andrea Hemming, një antropolog i njohur gjerman, që vjen herë pas herë në Shqipëri dhe qëndron me muaj për studime, shprehet i shqetësuar për këtë rrugë, duke e quajtur atë katastrofike.
Dhe vërtet të mendosh aksidentet, përfshi dhe atë të Gjegjanit pak vite më parë, ku humbën jetën 14 vetë nga rrëzimi i autobusit të linjës së Fushë-Arësit. Çfarë duhej të ndodhte më shumë që rruga të bëhej më në fund e sigurt? (Pa thënë se pse duhet pritur të ketë tragjedi të tilla që të vihet dorë?) E prapë asgjë nuk u bë me rrugën problematike!
Ajo vetëm degradon përditë e më keq, paçka artikujve të shtypit. Nuk po i hyjmë historisë së premtimeve elektorale të kohëpaskohshme, apo atyre të bëra nga z. Berisha, z. Topi apo z. Topalli, nga pozitat e larta shtetërore që kishin, si Kryeministër, President e kryetare e Kuvendit, kur erdhën për ngushëllim në familjet e viktimave të aksidentit të majit 2012.
Ndërkohë që nuk mund të mos ndalemi në premtimet e fundit elektorale të koalicionit të majtë qeverisës, i cili udhëheq vendin prej tre vitesh dhe në këtë rrugë kryesore të Veriut nuk është hedhur asnjë lopatë dhé, le pastaj asfalt, apo të jenë vënë mur mbajtës, përpos në një rast shembjeje aty ku ndan Puka me Mirditën! Janë të paktën 50 kilometra rrugë që duhen rikonstruktuar pjesërisht apo plotësisht, nga Rruga e Kombit në Fushë-Arrës.
Personalisht i përkas Partisë Socialiste që nga krijimi i saj, e kam përfaqësuar atë dy herë radhazi si kryetar i Komunës së Gjegjanit, e kam mbështetur dhe në zgjedhjet e fundit dhe vlerësoj plot reforma që janë ndërmarrë, në sektorë të ndryshëm jetikë për shqiptarët.
Por nuk mund të mos jemi kritikë për sa i përket lënies pas dore të disa rrugëve malore, jo vetëm se kanë pasur ndikim dikur, por se rëndësia e tyre nuk është zbehur as sot, kur biznesmenët e mirënjohur pukjanë dhe jo vetëm po përpiqen të gjejnë burime të reja të zhvillimit ekonomik dhe të biznesit.
Prandaj është e palejueshme që rruga nga Repsi-Mirditë (ku takohet me Rrugën e Kombit) në Fushë-Arës është lënë në mëshirë të fatit, si mos më keq. U tha se do të vihej dorë që vitin e parë qeverisës, por asgjë nuk po shihet, asnjë investim, veshje me asfalt, mbrojtëse etj., përveç mirëmbajtjes, që nuk e zgjidhe problemin.
Prandaj njerëzit detyrohen t’i bien përgjatë nga Puka! Kjo i bën ata që të humbasin shpresën dhe një ditë të ngrenë dhe ata plaçkat si të tjerët, dhe pse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Përkundrazi. Ne jemi përditë aty dhe shumë prej tyre duan të zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në këtë luginë të Fanit të Madh, por rruga është nuk ua mundëson këtë.
Drejtuesit e bashkive të Pukës dhe Fushë-Arësit, deputetët e të tjerë përfaqësues të popullit përballen vazhdimisht me kërkesën e banorëve për këtë rrugë, ata e kanë ngritur zërin, por deri tani nuk dimë të kenë marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme. Ja pse banorët mendojnë se është vetëm Kryeministri Edi Rama që mund e duhet ta zgjidhë këtë problem sa më parë.
Nuk janë dy-tre-pesë apo dhjetë fshatra që vështirësohen, që dhe kaq nuk do ishin pak, por bëhet fjalë për një nga arteriet kryesore të Veriut, që vërtet nuk ka peshën e dikurshme, pasi atë e ka marrë Rruga e Kombit, por megjithatë, përtej zonave të banuara, ka lëvizje të vazhdueshme në drejtim të Tropojës dhe Kukësit. Qeveria me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë financuar rrugën nga Qafë-Mali deri në Iballë, rreth 30 km e gjatë më asfalt, që afron me Fierzën, një rrugë moderne me plot vepra arti, për çka janë për t’u përshëndetur. Por për të shkuar atje duhet kaluar më parë nëpër rrugën “katastrofike” nga Rrësheni në Fushë-Arës!?
Prandaj zoti Rama, unë, si njëri nga banorët e kësaj zone, që dua të jetoj këtu, dhe pse i kam të gjitha mundësitë të banoj në Lezhë, Tiranë apo jashtë vendit, por dhe si një nga ish-drejtuesit e Komunës së Gjegjanit dhe vazhdimisht i zgjedhur si këshilltar i Rrethit apo Qarkut, ku në vitet 2001-2006 i kemi ndarë së bashku idetë dhe projektet e zhvillimit të kësaj zone, ju bëj thirrje të vini dorë në këtë rrugë! Nuk dua të zgjatem më shumë, duke besuar se ky apel imi dhe i gjithë banorëve të kësaj zonë do të dëgjohet nga qeveria që i kemi dhënë besimin të zhvillojë jo vetëm qendrat urbane, por dhe zonat rurale.
I shkruaj këto radhë nga vetja, me shqetësim qytetar, por dhe si “zëdhënës” i gjithë banorëve të fshatrave të përmendur më sipër, të cilët kërkojnë që zëri i tyre të përcillet dhe mediatikisht, në shtyp dhe televizion, si një lobim për ta bërë këtë rrugë sa më shpejt të jetë e mundur, duke e përfshirë mbase në projektet e emergjencës! Që Gjegjani të mos përbëjë lajm vetëm kur ndodhin aksidente të rënda me shumë jetë të humbura!…
/gazeta Shqip