Aktualitet

Meta publikon dosjen që i dha Venecias


               Publikuar në : 18:26 - 16/09/19 |
Al Do

Presidenti i Republikës ka bërë publik raportin që i ka dorëzuar Komisionit të Venecias mbi vendimin e tij për anulimin e datës 30 qershor si datë e zgjedhjeve vendore.

Në raportin 55 faqësh Meta përshkruan kontekstin politik dhe ka argumentuar se ndërhyrja e tij si Presidenti ka qenë e nevojshme.

Anëtarësimi në BE është objektivi strategjik kombëtar ende i papërmbushur i Shqipërisë” shkruhet në celje të raportit. Meta argumenton se si ndërhyrja e tij fillimisht ka të bëjë me garantimin e këtij interesi.

Rreziku i cënimit të integritetit të procesit zgjedhor të 30 qershor 2019 që do të ndikonte negativisht mbi këtë vendim, u evidentua qartë edhe në raportin e OSBE/ODIHR, ku konstatohet se kjo periudhë u karakterizua nga antagonizmi i thellë i palëve dhe mungesa e përgjegjësisë së përbashkët

Ai ka cituar raportin e OSBE/ODIHR për të mbështetur legjitimitetin e vendimit të tij

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019 pohon qartë se :

“Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve”

“Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe, rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje”

“Shumë interlokutorë të EOM përgjatë gjithë spektrit politik besonin se një marrëveshje ndërmjet partive është e nevojshme për të parandaluar humbjen e mëtejshme të besimit ndaj demokracisë, zgjedhjeve dhe politikanëve”

Meta vazhdon duke cilësuar se Parlamenti nuk kishte më fuqi kontrolluese mbi qeverinë dhe pasiguria mbi procesin zgjedhor ishte rritur për shkak të përgjimeve të dala nga dosjet 339 dhe 184 të cilat nuk ishin hetuar.

Kufizimi i të drejtave të opozitës në Kuvend për të garantuar rolin e saj të ligjshëm por edhe të Kuvendit si mbikqyrës i qeverisë, në vecanti bllokimi apo paralizimi i disa komisioneve hetimore apo parlamentare dhe shmangja e llogaridhënies së detyrueshme nga përfaqësues të qeverisë në kuvend helmuan më tej klimën e mosbesimit tradicional midis palëve. Ndërkohë afrimi i datës së zgjedhjeve përkoi me rrjedhjen në dy media ndërkombëtare të disa përgjimeve, pjesë e dy dosjeve penale të Prokurorisë.

Dosjet penale 184 dhe 339, kishin në përmbajtje të tyre të dhëna mbi krime zgjedhore që krijonin dyshimin e arsyeshëm për lidhje të zyrtarëve të lartë të mazhorancës qeverisëse me banda famëkeqe kriminale, me qëllim manipulimin e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Dibër 2016 dhe të zgjedhjeve parlamentare në Durrës 2017, në favor të Partisë Socialiste.”

Presidenti thotë në raportin e tij se zbatimi i njëanshëm i reformës në drejtësi solli djegien e mandateve nga ana e opozitës duke vënë në pikëpyetje kështu vetë institucionin.

182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës dhanë dorëheqjen nga mandati parlamentar, duke sjellë si pasojë shterimin e listave shumëemërore dhe mosplotësimin e Kuvendit me numrin e domosdoshëm kushtetues. Parlamenti ka mbetur me 122 deputetë nga 140 që parashikon Kushtetuta.

Kjo situatë do të komplikohej më tej për shkak të krizës së rëndë kushtetuese që po kalonte vendi, si pasojë e mosfunksionimit prej 18 muajsh të Gjykatës Kushtetuese dhe emërimit antikushtetues të kontestuar të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, më datën 18 dhjetor 2017.

Këto dhe të tjera, ishin pasojat e rënda që erdhën si rezultat i zbatimit të njëanshëm të Reformës në Drejtësi dhe në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.”

Në përfundim Meta shkruan se dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve është i ligjshëm, me natyrë kushtetuese dhe se i vetmi organ që mund ta vlerësojë atë është Gjykata Kushtetuese.

“Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11199 datë 10.06.2019 që anulon zgjedhjet e 30 qershorit është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Ai ka tërësisht natyrë kushtetuese dhe si i tillë mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është jo-funksionale prej 18 muajsh.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019 në Republikën e Shqipërisë pasqyron hollësisht këto gjetje dhe të tjera të lidhura me këtë proces të paligjshëm dhe ilegjitim.” 

Për të lexuar të plotë raportin kliko KËTU

/Opinion.al

Pas