Aktualitet

Masat kundër KÇK/ Sollaku: Nuk ka nevojë për ligj të veçantë


               Publikuar në : 18:31 - 09/11/19 |
Al Do

Ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku ka deklaruar se Reforma në Drejtësi nuk do të sjellë një situatë ku do të pastrohen të korruptuarit.

Në një intervistë televizive ai e cilësoi “eksperiment” reformën dhe shtoi se e “ka çuar sistemin në një kolaps” për shkak të mos funksionimit të gjykatave më të larta në vend.

Nismën e re ligjore të kryeministrit Rama  kundër krimit të organizuar dhe masat kundër njerëzve të drejtësisë të cilët ai i ka etiketuar si grupi “Kap çfarë të kapësh”, Sollaku e ka konsideruar si jo të nevojshme sepse sipas tij ekzistojnë “gjithë strukturat policore, organet ligjzbatuese për ta vënë para përgjegjësisë për korrupsion”. Sa i përket etiketimit “KÇK”, ai mendon se është një deklaratë e natyrës politike e cila “tregon vullnetin e qeverisë për të mos lënë kontigjente të caktuara të gjyqtarëve e prokurorëve për të abuzuar në fund të karrierës”.

“Krimi ka marr hov të madh” tha Sollaku kur komentoi atentatin në mbikalimin e Shkozetit duke nënvizuar se “ngjarja ishte e rëndë, për më tepër që objektiv ishte një prokuror i shtetit”.

Masat e reja shtrënguese të Kodit Penal që parashikojnë dënim me burg për një sërë veprash përbëjnë “problem” për ish-kryeprokurorin pasi “në këtë mënyrë ne po kriminalizojmë shoqërinë” dhe kjo ka krijuar “një trysni të madhe te gjyqtarët te prokurorët për të dhënë për çdo rast dënime me burg”. /Opinion.al

Pas