Rajoni

Marrëveshja Kosovë-Serbi, Varhelyi: Të mos paraqesë rrezik për rajonin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:31 - 07/05/20 |
Al Do

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha të enjten se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të pajtohen për një zgjidhje që nuk paraqet rrezik për vendet tjera të rajonit.

Ai i bëri këto komente të të enjten në një debat me Komisionin për marrëdhënie ndërkombëtare të Parlamentit Evropian lidhur me samitin e një ditë më parë ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë debatit një pjesë e deputetëve evropianë, përfshirë edhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ngritën shqetësimet pas një deklarate të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell rreth marrëveshjes së mundshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dy ditë më parë zoti Borrell në një intervistë me katër medie përfshirë edhe të përditshmen Koha Ditore, duke folur rreth ideve për shkmëbim territoresh tha se “kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por, siç thash nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka në duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon. Por në parim ky duhet të jetë dialog i lirë dhe fer mes dy palëve…”, tha ai.

Zoti Varhelyi, tha të enjten se “qëndrimi ynë ishte shumë i qartë që nga fillimi. Thelbësore është që të dyja vendet të pajtohen për një zgjidhje që është e pranueshme për to dhe që nuk paraqet asnjë rrezik për asnjë vendet tjera në rajon. Kur të arrijmë atje, mund të shohim për elementet tjera. Në këtë kuadër, shkëmbimi i territoreve nuk është një çështje apo është një çështje e dorës së dytë. E domosdoshme është që palët të jenë në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen mirëfilli për një zgjidhje”, tha ai.

Deklarata e zotit Borrell nxiti shumë reagime në Kosovë.

Të enjten presidenti Hashim Thaçi, tha se “Kosova është vend i pavarur dhe sovran i njohur prej shumicës së vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane, por këtë realitet nuk mund ta ndryshojë askush. Unë nuk jam këtu që të komentoj deklarimet e këtij apo atij zyrtari”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shkroi në facebook se “askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë. Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës. Duhet të besojmë në SHBA-të dhe në BE dhe të besojmë në Kosovën. Kjo është e vetmja qasje për dialogun”, shkroi mes tjerash zoti Mustafa.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se qëndrimi i zotit Borrell, është i dëmshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit, dhe “e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë. Secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën, të cilët janë të përcaktuar për Kosovën në kufijtë e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, ashtu siç na ka njohur shumica absolute e shteteve perëndimore demokratike, në krye me ShBA-në”, thuhet në një reagim të kësaj partie.

Debatet nëse ka një kuadër për një marrëveshje Kosovë – Serbi që do të përfshinte prekjen e kufijve u ringjallën bashkë më krizën politike në Kosovë.

Me 20 prill gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë e analistë të organizuar nga “Presseclub Concordia” me seli në Vjenë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi bindjen se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë një ujdi për shkëmbim territoresh. Ai tha se kjo është diskutuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ish shefja politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Mund të jetë që zoti (Richard) Grenell është çorientuar nga presidenti Thaçi, por mbase është tunduar po ashtu që të përfitojë pikë politike për të zgjidhur një konflikt njëshekullor”, tha zoti Kurti.

Ambasadori Richard Grenell i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi reagoi duke theksuar se “absolutisht nuk ka pasur asnjë bisedë për shkëmbim territoresh nga unë dhe nuk është diskutuar nga askush në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, shkroi ai.

Zyra e kryeministrit në detyrë Albin Kurti pohoi se ai i ka shkruar një letër gjatë muajit prill nënpresidentit amerikan Mike Pence, në të cilën siç thuhet “ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e presidentit Thaçi për shkëmbim territorial, eufemizën për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell”.

Por, zyra e tij tha se raportimi i disa medieve lokale se kryeministri Kurti i është ankuar nënpresidentit Pence për ambasadorin Grenell “është interpretim tendencioz dhe nuk përfaqëson përmbajtjen e kësaj letre”.

Në reagimin e zyrës së zotit Kurti thuhet se “presidenti Thaçi, përmes lobit të tij ka punuar që të imagjinohet se një realitet tjetër ekziston në Kosovë. Mirëpo ka një shpërpushje mes situatës së sajuar ku dialogu kinse tashmë ka përfunduar dhe vetëm pritet nënshkrimi i marrëveshjes, dhe realitetit ku së pari duhet dialog për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura e ku nuk mund të ketë shkëmbime territorial, përkatësisht ndarje të Kosovës”.

Kam shprehur edhe qëndrimet tona, si qeveri e Kosovës, të miat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike përfshirë dialogun me Serbinë. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mia për këtë dialog, se si duhet të jetë parimor e i përgatitur mirë. Për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë, për mua jo vetëm si kryeministër por edhe si politikan në përgjithësi se çka bëj e çka them, i kam shprehur qëndrimet e mija që të mos ketë keqkuptime”, tha Kurti.

Presidenti Thaçi tha të enjten se “Shtetet e Bashkuara e njohin realitetin në Kosovë shumë mirë”. /VOA

Pas