Aktualitet

La të burgosurin me pranga në izolim,pezullohet drejtori i burgut në Berat


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:14 - 26/09/20 |
Al Do

Drejtori i burgut të Beratit, Hiqmet Këlliçi është pezulluar nga detyra nga Gjykata e Beratit.

Gjatë një seance të zhvilluar në dhomat e këshillimit, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Beratit për marrjen e masës ndaluese ndaj Këlliçit të parashikuar nga Neni 242 i Kodit Penal.

Hiqmet Këlliçi akuzohet për “Kryerje të Veprimeve Arbitrare” ndaj një të burgosuri që vuante dënimin në burgun e Beratit.

Kallëzimi penal ndaj Këlliçit është bërë nga avokati i të burgosurit në 16 Janar 2020. Në kallëzimin penal thuhet se, Këlliçi e ka izoluar të burgosurin Krios Vangjeli nga data 13 deri më 20 Janar 2020 dhe e ka mbajtur në dhomën e izolimit me pranga, duke e lënë edhe përtej afateve që e lejon ligji.

Në kallëzimin penal ndaj Hiqmet Këlliçit, ndër të tjera thuhet se me urdhër të drejtorit punonjësit e burgut e kanë trajtuar këtë të burgosur në mënyrë çnjerëzore. I burgosuri Krios Vangjeli mësohet se është transferuar me urdhër të Këlliçit në fillim të këtij muaji në Repartin e Posaçëm të Burgut të Fierit. Këlliçi e ka apeluar masën ndaluese në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Beratit ai do të jetë i pezulluar deri në përfundimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Në ngarkim të Hiqmet Këlliçit janë të regjistruara deri më tani në Prokurorinë e Rrethit të Beratit edhe 3 kallëzime të tjera penale për “shpërdorim detyre”. Dy kallëzime penale janë bërë nga SHÇKB e Burgjeve që e akuzon se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të ryshfeteve dhe një tjetër kallëzim penal për “Shpërdorim Detyre” është bërë nga disa avokatë të Beratit, që e akuzojnë se ka shkelur të drejtat e avokatëve, duke mos i lejuar për takimet me të paraburgosurit e mbrojtur prej tyre./ Opinion.al

Pas