Nga Artur Zheji
Kotësi, kotësi dhe përsëri Kotësi… (Vanitas, vanitatum, omnia vanitas), thotë një shprehje e madhe dhe e lashtë latine. Për të rrëfyer thelbin e kotësisë së kësaj Bote, në fund të fundit.
Dhe tek hapim lap top, (dikur shkruanim me dorë, sa bukur ishte!) dhe duhet të merremi me Reformën në Drejtësi, si për një Zgjidhje Magjike, që do të na bëjë befas shtet real të së Drejtës, të troket në tru, Vanitas, vanitatum, omnia vanitas…
Ose shprehja e Shakespearit si edhe titulli i një Komedie të tij: “Shumë zhurmë për Asgjë” (Much Ado About Nothing).
Sepse krijimi i Mitit, që e Keqja është Djathtas, te Basha-Berisha, dhe e mira është Majtas, vetëm te kryeministri, ka qenë një nga pikturat më të përkryera të Ramës, të cilës, si një mjeshtër muralesh apo afreskesh të Mesjetës, ay, prej sëpaku 11 vitesh, i shton cdo ditë një nuancë, një ngjyrë, apo një detaj të ri.
Duke ngjyer me pasion penelin, tanimë penelin e fjalës dhe të fjalimeve që skanë të sharë për nga forma, dhe duke u dhënë shqiptarëve, këtë pikturë të shtrirë në kohë dhe hapësirë, me një fabul mallëngjyese dhe gati biblike, tamam si në Mesjetë edhe kjo.
Në këtë murale pra, që mjeshtri me penel verbal dhe kryeministër, që në vend të qimeve të kalit, që thuhet se kanë penelat e mirë, ka shumë fjalë, fjalë shumë më të fisme se sa përmbajtja e tyre, në këtë murale, detaje dhe episode të së cilës, shqiptarët shohin përditë, kemi Djajtë nga një anë dhe Ëngjëjt Rilindas nga ana tjetër, “duke u ndeshur për një Moral Universal!”.
Djajtë, si dikur karikaturat e para që ish kryebashkiaku i kushtonte, ish mikut te vet të dikurshëm Fatos Lubonjës, që u shtonte me humor dy brirë dhie mbi krye, Djajtë e sotëm pra, janë bërë të zinj, me brirë, me nofulla të gjakosura nga shqyerja e fëmijëve të pafajshëm, grabitqarë dhe me sy të përskuqur nga jeta në Ferr. Dhe popull ziu, mallëngjehet, emocionohet dhe ndërsehet, falë dhe ca mediave që shtojnë detaje e nuanca në këtë krijim sa artistik dhe politik njëherësh.
Nga ana tjetër e murales, Ëngjëjt e Rilindjes, me autorin e pikturës në krye, bardhoshë dhe kaltëroshë, me krahë të shpalosur mjellmash, qiellorë e gati hyjnorë, që marrin në mbrojtje delet e hmbura të popullit, të cilat i shpëtojnë… nga masakra dhe batërdia e Djajve, që duhen ndëshkuar dhe që banojnë në SHQUP, ku edhe kanë shpellën ku gatuajnë një kazan të madh supe me mish njeriu…
Cfarë Përbindash, belbëzojnë të magjepsur ata që e besojnë në mënyrë naïve këtë skenë të pikturuar në brendësi të murales së kryeministrit.
Pra, në kaq vite, beteja e Ëngjëjve me Djajtë, brenda një bythë vendi, a thua se jemi Qendra e Botës, apo Fushë Beteja e një Lufte Përfundimtare ndërmjet të Mirës dhe të Keqes, ka qenë, sekuencë pas sekuence, ajo që kryeministri po ka servirur me sukses, ditë pas dite. Dhe në Bythë-Vend, të gjithë mbajnë shënim, bilancin e kësaj Beteje, ku, po të ndjekësh, fjalimet e Piktorit Verbal, edhe vetë Zeusi nuk rri dot pa zbritur nga Olimpi dhe të bëjë tifozllëk.
Kjo përzierje e mahnitëshme, pikturë – politikë, është gjithësesi një shpikje, që kryeministri duhet ta brevetojë dhe ta përjetësojë. Bythecët e shmtë që e bëjnë mirë këtë, nuk i mungojnë. Në këtë vend ku bythecëria është edhe puna më e shpërblyer, prej kaq e kaq kohe.
Porse mbas takimit, të përgatitur me suspansë dhe ethe, Basha-Rama-Vasili, Murales iu shpëlanë bojërat. Nga një gabim i vockël. Nga ata që përmbysin edhe grataciela.
Sepse mbas këtij takimi, në Fjalimin e Shkruar më parë të kryeministrit, formalisht i përsosur por që komentonte arësyet e dështimit të takimit, tragjikja dhe heroikja u bënë befas, krejt Qesharake.
Kryeministri pra, Lexoi fjalimin e Dështimit të Bashkëbisedimeve me Djajtë, që e kish shkruar “mjeshtërisht” përpara, se sa të hynte në takimin dhe negociatën në fjalë.
Duke nxjerrë lakuriq, edhe Talljen e Madhe, të Pikturës së tij Murale, që është pra, thjesht një teknikë, në kurthin e së cilës bien shumica e shqiptarëve.
Kryeministri, na ish nisur në Takimin e shumëkërkuar nga Ndërkombëtarët, amatorë të pikturës edhe shumica e tyre, me Fjalimin e Shkruar, ku analizonte se Pse, kish dështuar Negociata, e cila donte orë që të fillonte.
Qesharakja dhe Cinikja, nuk mund të kenë një kulm të dytë si ky, edhe për shumë vite të tjera në Shqipëri. Dhe për këtë, kryeministri duhet përgëzuar dhe presidenti Nishani, duhet të nxjerrë nga sepeti i Presidencës, një komcë të artë apo një kopac dhe tja vendosë në gjoks.
Kush nuk e do pra Reformën në Drejtësi?
Sigurisht asnjera nga Palët, që nuk clirohen dot nga dyshimi, se nuk bëhet fjalë për Reformë në Drejtësi, por për Kontroll në Drejtësi!
Dhe lodhja më e madhe e tyre, ka të bëjë se kush, ua hedh dot më mirë Ndërkombëtarëve që po mësojnë si nxënës të vonuar, mjeshtërinë e Akademisë së Gënjeshtrave Shqiptare.
Porse me dy Fjalime të Kundërta në xhep për të njejtën Temë, si deh u justifikua më pas, kryeministri, theu një rekord të Hipokrizisë sonë Kombëtare, përpara kamerave. Një pamje që shkaktonte një dhimbje të pangushëllueshme për të Vërtetën në këtë vend, por edhe për kryeministrin tonë.
Piktorit ju thye peneli dhe ngjyrat e Murales së tij, filluan të qajnë e të zhgjyrosen, si makiazhi dhe rimeli, që rrëshqet poshtë syve të një gruaje, mbas një të qare të gjatë dhe të sinqertë.
Dhe për kapricio të ngjyrave të cngjyrosura, djajtë u përzien me ëngjëjt dhe Murales së Luftës Epike, të Luftës së të Mirës me të Keqen, i doli boja.
Vanitas, vanitatum, omnia vanitas…