Pashkët Katolike janë uruar edhe nga krerët e politikës Shqiptare. Kryeministri Edi Rama përveç një videoje të publikuar në rrjetet sociale, i përcolli urimet për besimtarët katolik edhe nga Podcastin “Flasim”.
“Më së pari, uroj Gëzuar Pashkët! Gëzuar Pashkët besimtarëve katolikë, atyre ortodoksë, por gëzuar Pashkët edhe të gjithë shqiptarëve, sepse bekimi i Shqipërisë është që, qofshin Krishtlindje e qoftë Bajram, qofshin Pashkë e qoftë Sulltan Novruzi, ka një atmosferë të përgjithshme dëshire për të përjetuar së bashku festën e një komuniteti tjetër besimi. Gëzuar, pra”,-tha Rama.
Presidenti Bajram Begaj zgjodhi që urimet për besimtarët t’i bëjë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku vlerëson forcën që ka besimi fetar tek njerëzit.
“Pashka është besimi se e mira fiton mbi të keqen, mundimi mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën. Pashka është besimi se jeta është forca e pashtershme që na udhëheq. Pashka është shpresë dhe gëzim. Kjo festë na kujton se Zoti nuk na braktis kurrë dhe se dashuria e Tij është më e fortë edhe se vdekja”,-u shpreh Begaj.
Nga katedralja e “Shën Palit”, edhe lideri i opozitës pati një urim për besimtarët katolik, ndwrsa nuk mungoi edhe mesazhi politik pwr qeverinw “Rama”.
“Besimtarëve katolikë shqiptarë dhe në mbarë botën, ju uroj gëzuar ngjalljen e Krishtit. Ditën më të rëndësishme në historinë e qytetërimit perëndimor. Ringjallja e Krishtit shënon momentin më frymëzues, më të rëndësishëm për mbarë njerëzimin, mbasi parimet e porosive të tij, apo porositë e tij u shndërruan në, të themi, parimet morale të njeriut të qytetëruar, të qytetërimit perëndimor. Le të urojmë që Pashkën tjetër ta kremtojmë më mirë dhe pa këtë të keqe të madhe që i ka rënë hise Shqipërisë këto vite”,-u shpreh Berisha.

















