Rajoni

Kosovë/ Riregjistrim i makinave dhe reciprocitet ndaj dokumenteve serbe



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:08 - 29/06/22 |
Opi Nion

Qeveria e Kosovës, me në krye kryeministrin Albin Kurti, miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë  të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë,

Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) e kështu me radhë.

Targat e tilla janë hequr në zonat e populluara me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në vitin 2011, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Por, në komunat në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë janë serbë, ka vazhduar ngasja e makinave me targa KM, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë – gjë që ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

Në shtator të vitit të kaluar, Kosova ka vendosur masa reciproke ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që kanë hyrë në Kosovë, duke u kërkuar të vendosin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në territorin e vendit.

Kjo masë ka çuar në përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb i kanë mbajtur të bllokuara vendkalimet kufitare për dy javë.

Më pas, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për mbulimin e simboleve shtetërore në targa me letra ngjitëse të bardha.

Marrë parasysh se ende nuk është gjetur zgjidhje përfundimtare, regjimi me letra ngjitëse mbetet në fuqi.

Deri më tani, letrat e bardha janë ngjitur edhe në targat KM.

Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.

Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, u miratua edhe udhëzimi për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas tij, të gjithë ata persona që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet serbe, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “Albin Kurti po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe – pas datës 30 shtator – për të hequr vlefshmërinë e targave me emrat e qyteteve serbe: “KM”, “GL”, “PR”, “UR” e të tjera, me paralajmërimin se pas këtij afati, këto automjete do të konfiskohen, është një goditje e drejtpërdrejtë mbi të gjithë serbët, si në jug, e sidomos në veri të Ibrit”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./ REL

Pas