Bota

Karantina nuk është zgjidhje por çfarë mund të mësojmë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:32 - 26/09/20 |
el ida

Çfarë mund të mësojmë nga heqja e kufizimeve kundër COVID-19?

Një studim i ri nga Lancet është përqendruar tek kufizimet e vendosura në 9 shtete të zhvilluara (Hong-Kong, Japoni, Zelandë e Re, Singapor, Kore e Jugut, Gjermani, Norvegji, Spanjë dhe Mbretëri e Bashkuar).

“Edhe pse masat mund të kenë shpëtuar jetë njerëzish, ata kanë sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike”, theksojnë autorët e studimit.

“Karantina dhe kufizimet e tjera ekstreme nuk mund të mbahen për një kohë të gjatë me shpresën se do të zbulohet një vaksinë apo trajtim për COVID-19”, shkruajnë ata, teksa i mëshojnë gjetjes së një balance të drejtë midis “një sërë shqetësimesh shëndetësore, sociale dhe ekonomike”.

Për të mësuar nga përvoja e mëparshme, studimi ka identifikuar pesë parime të shëndetit publik që vendet mund t’i marrin në konsideratë teksa përpilojnë strategjinë e tyre: gjendja e infektimeve, pranimi në rang komunitar, kapacitetet e shëndetit publik, kapacitetet e sistemit shëndetësor dhe kontrolli i kufijve.

Gjendja e infektimeve

Studiuesit thonë se është thelbësore pasja e një sistem mbikëqyrjeje të cilësisë së lartë. Të dhënat në kohë reale janë të rëndësishme për të përllogaritur shifrat e shtimit të rasteve, çka është tregues sesa ngjitëse është sëmundja.

“Fatkeqësisht, ky parim shpesh nënvlerësohet”, shkruhet në studim, duke përmendur këtu Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Pranimi në rang komunitar

Studimi thekson rëndësinë e qëndrueshmërisë për përpilimin e një strategjie të suksesshme pas daljes nga izolimi.

“Mesazhet e ndryshme që kanë qarkulluar mbi atë që konsiderohej si distancë e sigurtë fizike shpesh kanë krijuar konfuzion dhe kanë qenë të paqëndrueshme”, teksa vërejnë se distanca e rekomanduar nuk ka qenë e njëjta për gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

E njëjta gjë vlen dhe për maskat, ku “mungesa e një konsensusi ndërkombëtar për përdorimin e tyre është e dukshme”.

Kapaciteti i shëndetësisë publike

Strategjia e diagnostikimit, testimit dhe izolimit gjithashtu konsiderohet si tejet e rëndësishme, e cila kërkon krijimin e infrastrukturave të duhura.

“Shpejtësia me të cilën u përhap pandemia la të nënkuptohej se vendet nuk ishin të përgatitura”, shkruhet në studimin e publikuar.

Vendet duhet të jenë të mirë pajisura me aparatura që ndihmojnë në gjurmimin e kontakteve dhe testimeve masive të popullsisë.

Kapaciteti i sistemit shëndetësor

Edhe kapaciteti i sistemit shëndetësor është një faktor kyç, shkruajnë autorët, teksa përmendin “repartet e terapisë intensive, pajisje mjekësore dhe staf të mjaftueshëm për të përballuar fluksin”.

“Përvoja e Gjermanisë tregon përfitimet që sjell investimi në sistemin e shëndetësisë për të ardhmen”.

Masat për kontrollin e kufijve

Studimi sugjeron menaxhimin e udhëtarëve për të ulur rrezikun e njerëzve të infektuar që hyjnë në vend.

“Vendet europiane kanë qenë të ngadaltë për të kërkuar teste rutinë për udhëtarët”, ndryshe nga Hong-Kongu, shkruajnë autorët.

Në përfundim të këtij studimi, autorët argumentojnë se njerëzit po ndërgjegjësohen që “heqja e kufizimeve të COVID-19 nuk do të thotë rikthimin në jetën përpara pandemisë, por e shohin si një periudhë tranzitore drejt një normaleje të re, teksa përgatiten për masa të reja, nëse do të jetë e nevojshme”.

Pas