Bota

Joe Biden dhe Marrëdhëniet SHBA-Kinë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:34 - 13/11/20 |
Opi Nion

Marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë arritur nivelin më të ulët në vite, pas përplasjeve lidhur me tregtinë dhe koronavirusin gjatë administratës së Presidentit Trump. Për këtë arsye ka hamendësi të shumta lidhur me planet e presidentit të zgjedhur Joe Biden kundrejt Kinës.

Në Uashington, vëzhguesit thonë se zoti Biden ka të ngjarë të vazhdojë të ruajë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës, por mund të shtojë bashkëpunimin me aleatët e Amerikës për të rritur presionin ndaj Pekinit.

Gjatë një debati mes kandidatëve demokratë para zgjedhjeve brenda partisë, zoti Biden pat thënë se ka shpenzuar më shumë kohë me udhëheqësin kinez Xi Jinping se çdo udhëheqës tjetër botëror në atë kohë. Por mbetet e paqartë se si do të ndikojë kjo tek qëndrimi i tij ndaj Kinës.

Presidenti i zgjedhur Biden ende nuk ka dhënë hollësi se çfarë hapash do të marrë kundrejt Kinës. Ai nuk foli shumë për politikën e jashtme gjatë fjalimit të fitores dhe shumë vëzhgues thonë se prioritetet kryesore janë zhvillimet e brendshme: koronavirusi, ekonomia, barazia racore dhe ndryshimet klimatike.

Faqja elektronike e fushatës së tij zgjedhore publikoi një artikull mbi udhëheqjen amerikane në botë, ku thuhej se zoti Biden do të organizojë një takim të udhëheqësve demokratikë të botës në vitin e parë në Shtëpinë e Bardhë.

Synimi i takimit do të jetë të zhvillohet një axhendë e përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave ndaj vlerave demokratike. Artikulli i referohej disa herë Kinës, duke theksuar se SHBA duhet të përdorë fuqinë e saj ekonomike si dhe të vendeve të tjera demokratike si presion për t’u dhënë formë rregullave lidhur me politikat tregtare, privacinë e të dhënave dhe tema të tjera.

Zoti Biden po ashtu bëri një deklaratë të gjerë mbi politikën e jashtme në korrik, ku bënte thirrje për një angazhim të ri ndaj diplomacisë shumëpalëshe, duke nënvizuar “Mënyra më e efektshme për t’iu përgjigjur sfidave është të ndërtohet një front i bashkuar me miq e partnerë që sfidojnë sjelljen abuzive të Kinës”.

Bradley Bowman, drejtor në Qendrën për Fuqi Ushtarake e Politike pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, tha për Zërin e Amerikës se parashikon që administrata e ardhshme Biden do të përpiqet të forcojë kapacitetet mbrojtëse amerikane në rajonin e Indo-Paqësorit si baraspeshë dekurajuese ndaj agresionit të Pekinit. Kjo metodologji do të mbështetet në shtimin e presionit edhe nga aleatë të Uashingtonit dhe mjete të tjera për të bindur Pekinin të ndryshojë qëndrim.

Ai thotë se zoti Biden mund t’i bëjë presion Pekinit në mënyrë më të efektshme se Presidenti Trump duke angazhuar aleatët e Amerikës – një strategji që zoti Biden dhe këshilltarët e tij e kanë përmendur gjatë fushatës.

Pjesa më e madhe e vendeve të Azi-Paqësorit, thotë zoti Bowman, mirëpresin udhëheqjen amerikane në rajon, pasi nuk duan që Pekini të gëzojë pozita dominuese. Ai shtoi se dialogu me aleatë rajonalë mbi tema si aktiviteti i Pekinit në Detin e Kinës së Jugut, situata në kufirin Kinë-Indi, zhvillimet në Hong Kong dhe Tajvan, do të ishte një metodë më efektive.

Shen Dingli, profesor në Institutin për Studime Ndërkombëtare pranë Universitetit Fudan, tha se një administratë amerikane nën Joe Bidenin pritet të rrisë presionin ndaj Kinës lidhur me rajonin Shigjiang, Hong Kongun dhe Tajvanin në të ardhmen, por presioni përmes bashkëpunimit shumëpalësh mund të acarojë tensionet mes dy vendeve.

“Mund të ketë një kthim në epokën e administratës Obama kur presioni shumëpalësh u përdor për të detyruar Kinën të respektonte ligjin ndërkombëtar. Pra ka shumë mundësi që tensionet mes SHBA dhe Kinës të shtohen në këtë aspekt”.

Në një artikull kohët e fundit, zoti Shen thotë se mund të jetë e vështirë të ndryshohet kursi në shumë prej politikave të Presidentit Trump ndaj Kinës, pasi tensionet mes dy vendeve do të vazhdojnë. Ai tha se administrata Biden ka të ngjarë të ndjekë një “strategji Trump” edhe pas largimit të zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë dhe se mospajtimet mes dy vendeve lidhur me tema të sigurisë ka të ngjarë të thellohen.

Përgjigja zyrtare e Pekinit ka qenë e rezervuar që pasi zoti Biden deklaroi fitoren. Vëzhguesit thonë se duket që Pekini ka dalë me përfundimin se nuk ka gjasa për përmirësime të dukshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë nën administratën e re.

Vëzhgues të zhvillimeve politike në Kinë nënvizojnë se sjellja agresive e Pekinit në një numër politikash gjatë viteve të fundit ka krijuar një konsensus të përgjitshëm në Uashington lidhur me politikën amerikane ndaj Pekinit, gjë që nuk pritet të ndryshojë shumë kur të vijë zoti Biden në Shtëpinë e Bardhë. Shkelja e të drejtave politike nga Pekini si në Shigjiang, ashtu edhe në Hong Kong, veprimet agresive në Detin e Kinës së Jugut dhe përvetësimi i pronës intelektuale, po ashtu edhe politikat proteksioniste tregtare kanë krijuar në të gjithë spektrin politik amerikan një rezistencë të fuqishme ndaj veprimeve të Kinës.

Michael Hunzeker, pedagog në Universitetin George Mason, nënvizon se figura nga të dyja partitë kryesore politike amerikane po u binë këmbanave të alarmit lidhur me fuqizimin e Kinës.

“Mendoj se ekziston konsensus i qartë në këtë aspekt të politikës së jashtme në të dy kahjet e politikës amerikane,” thotë ai për Zërin e Amerikës.

Megjithatë, media shtetërore kineze ka thënë se ka ende vend për bashkëpunim me presidentin e zgjedhur Biden.

“Tani që po qetësohen gjërat pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, pyetja e qartë është se si do t’i trajtojnë të dyja palët marrëdhëniet e dëmtuara mes tyre,” thuhej në një artikull redaksional të variantit në gjuhën angleze të së përdishmes së qeverisë kineze China Daily.

Një artikull në Global Times, një tjetër organ i shtypit zyrtar kinez, e cilësoi zotin Biden “një mik të vjetër të Kinës”.

Një video e zotit Biden duke vizituar Pekinin në 2011 dhe duke frekuentuar një restorant lokal u postua në median sociale në Kinë, ku postimet kontrollohen me rreptësi nga autoritetet kineze./ VOA

 

Pas