Aktualitet

Ikin shqiptarët, vijnë të punojnë të huajt



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:49 - 17/07/22 |
Opi Nion

Një duzinë njerëzish po qëndrojnë në oborrin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në pritje të mjekut i cili do të dalë të njoftojë mbi shëndetin e pacientëve aktualë. COVID-i nuk na la vetëm pasoja shëndetësore, por edhe formale si vendosja e rregullave strikte për hyrje-daljet në pavijonin e kardiologjisë.

Teksa mjeku del të njoftojë, një mesoburrë me tipare karakteristike me shqiptarët tipikë, e folura e tij “e tradhton”. Një shqipe e këndshme, pak nga letrarja, pak nga gegërishtja e Shijakut, zonë nga e cila është bashkëshortja.

Emini, një sirian prej disa vitesh i cili jeton në Shqipëri, është ndër mjekët më të respektuar në Tiranë. Dhe jo i vetmi në fakt, në trupën mjekësore të huaj që institucione të ndryshme, shtetërore ose private, kanë në Shqipëri. Paradoks me ikjen e vetë mjekëve shqiptarë në shtete të tjera si Gjermani a gjetkë!

Një tjetër mjek, ndryshe nga Emini, kujdeset për miqtë tanë me katër putra, dhe jeton e punon prej një dekade në Tiranë. Emre Aslan nga Turqia, thotë se ka shumë gjëra që e lidhin me jetën në Shqipëri: puna, dashuria, natyra; ndaj, ndonëse ende s’ka marrë nënshtetësinë shqiptare, nuk mendon të largohet nga këtu.

Një grup të rinjsh, në zonën e Rrugës së Kavajës në kryeqytet, disa prej të cilëve mbanin në kokë një kapele, tip çallmë, tiparet fizike të të cilëve dallonin nga ato autoktone shqiptare. I përshëndes dhe Rashidi, një djalë rreth të njëzetepesave, më kthen përshëndetjen me një nivel anglishteje më të mirë se sa shokët.

Indianë që jetojnë në Tiranë, kujt mund t’ia merrte mendja? Kishin nënshkruar kontrata së fundmi me një firmë të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe jeta në Shqipëri i dukej …interesante! Fjalëpakë, siç duket, preferonin më shumë kompjuterin se sa komunikimin.

Ndërsa Manuela, një vajzë elegante, siç një italiane mund të jetë, e punësuar prej shumë vitesh në sektorin e call center në Tiranë, pohoi se “vetëm pandemia arriti të më ndajë nga Shqipëria”.

Për Grant Van Cleve më folën disa miq të përbashkët, me superlativa, se si një amerikan ka jetuar 18 vitet e fundit, më së shumti në Shqipëri dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetjen e startup nga të rinjtë në vend.

Grant-i, i ardhur nga “toka e premtuar”, ku shumica e shqiptarëve do të donin të ishin, thotë: “Të rinjtë shqiptarë nuk e dinë se çfarë kanë këtu sepse ‘bari duket më i gjelbër në anën tjetër të gardhit’”.

Në rrugët e kryeqytetit mund të rastisim shumë të huaj apo të prezantohemi në një sektor a tjetër për hir të punës, sepse jo më pak se, 13.6 mijë shtetas të huaj kanë leje qëndrimi në vendin tonë. U referohemi të dhënave më të fundit të bëra publike nga INSTAT për vitin 2020, pasi Policia e Shtetit na bën të ditur se ende s’janë përpunuar të dhënat e vitit të shkuar.

Në një vend që niveli i emigracionit po arrin majat në dekadën e fundit, shumë të huaj kanë gjetur “parajsën e jetës e punës në Shqipëri”, disa me kontrata pune, disa si investitorë apo menaxherë biznesesh dhe një pjesë e mirë, edhe si “nomadë dixhitalë”.

Fatos Çerenishti, drejtues i FAFA Group, ndan shqetësimin e tij për gjetjen e krahut të punës në sektorin e turizmit, në një periudhë që sfidat janë të mëdha për rikthimin në nivelet parapandemisë. “Kemi kërkuar nga vendet e tjera, edhe Kosova ose më larg, sepse nuk po gjejmë më të rinj shqiptarë”, – pohon z. Çerenishti.

INSTAT raportoi se numri i emigrantëve në vitin 2021 ishte 42.048 persona.

Një tjetër tendencë në rritje është ai i konceptit “nomadë dixhitalë”, për të cilin qeveria ka parashikuar pika të rëndësishme në “Axhendën dixhitale të Shqipërisë dhe të planit të veprimit 2022 – 2026”. Kësaj kategorie po i jepet fokus tani, thuajse në një garë rajonale, ku Kroacia e Greqia ka bërë disa hapa para. Plani i veprimit përfshin:

-Projekti i rezidencës mund të jetë një hap i rëndësishëm për tërheqjen e nomadëve dixhitalë në vendin tonë bashkë me shumë mundësi të tjera që vendi ofron si aplikimi në internet për viza, viza e paguar dhe e lëshuar online, platforma e-albania, faqe web-i për turizmin, sistemi i transportit, qendrat dixhitale dhe hapësirat e bashkëpunimit, lidhja dhe shpejtësia e internetit në telefon, kostoja telefonike, prania e mediave sociale, 5G që vjen së shpejti

Ekspertë të fushës së teknologjisë shprehen se Shqipëria, ka mundësitë të shndërrohet tërheqëse për këtë kategori, por duhet shumë punë!

Nomadët dixhitalë
Një tjetër tendencë në rritje është ai i konceptit “nomadë dixhitalë”, për të cilin qeveria ka parashikuar pika të rëndësishme në “Axhendën dixhitale të Shqipërisë dhe të planit të veprimit 2022 – 2026”. Kësaj kategorie po i jepet fokus tani, thuajse në një garë rajonale, ku Kroacia e Greqia ka bërë disa hapa para

Statistikat

Në fund të vitit 2020, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 13.609 banorë, duke shënuar rritje me 0,8%, krahasuar me 2019-n.

Numri i të huajve rezidentë në 2020 dominohet nga meshkujt me 64,0% kundrejt femrave me 36,0%. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2020 ishte 7.661, duke shënuar rënie me 7,0%, krahasuar me vitin 2019.

Të huajt rezidentë me origjinë nga Irani – 2.610, Italia, 2.067 dhe Turqia, 1.597, përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në 2020-n.

Të huajt me origjinë nga Europa, në vitin 2020 rezultojnë 7.724 banorë dhe përbëjnë 56,8% të të huajve gjithsej kundrejt 66,4% që përbënin në 2019-n.

Punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në 2020-n, me 47,5%. Në vitin 2020 janë evidentuar 18.835 të huaj të parregullt në territorin e vendit, ku pjesën më të madhe të tyre prej 55,9% e zënë të huajt me origjinë nga Iraku dhe Siria.

Gjatë 2020-s, numri i të huajve rezidentë përbëhet nga 8.676 meshkuj dhe 4.933 femra. Meshkujt zënë 63,8% në numrin e të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2020 është 7.661, duke shënuar rënie me 7,0%, krahasuar me vitin 2019. Aplikimet sipas vendit të origjinës nga Irani dhe Italia përbëjnë 44,9% të aplikimeve gjithsej, në 2020-n.

Në vitin 2020, të huajt rezidentë për arsye punësimi zënë 47,5% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 24,5%, arsyet për qëllime humanitare me 19,7%, arsyet për studime 2,0% dhe arsye të tjera me 6,3%.

Te të huajt rezidentë në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim (68,9%) vihet re edhe një dominim i arsyes për bashkim familjar (18,3%).

Tek arsyet e të huajve me origjinë nga Turqia kryesojnë punësimi (65,2%) dhe bashkimi familjar (32,3%).

Tek arsyet e personave me origjinë nga Kosova kryesojnë bashkimi familjar (41,7%). Tek të huajt me origjinë nga SHBA dhe Kina kryesisht dominojnë arsyet për punësim (përkatësisht me 67,5% dhe 81,9%). Te të huajt me origjinë nga Irani kryesisht dominon arsyeja humanitare për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri (98,8%).

Drafti, Shqipëria synon të bëhet tërheqëse për “nomadët dixhitalë”

Shqipëria kërkon që të kthehet në një destinacion tërheqës për nomadët dixhitalë. Këta të fundit janë individë të angazhuar kryesisht me një punë online, çka u lejon atyre që ta kryejnë atë nga çdo vend i botës dhe qëndrimi i tyre nuk është afatgjatë nga njëri vend në tjetrin.

Në një dokument të miratuar nga qeveria, siç është strategjia ndërsektoriale “Axhenda dixhitale e Shqipërisë” dhe të planit të veprimit 2022 – 2026 bie në sy pikërisht edhe një pikë që lidhet me nomadët dixhitalë.

“Zgjerimi i rrjetit dixhital dhe fizik dhe fuqizimi i bizneseve është një përparësi në ditët e sotme për vendin tonë, sepse sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e pavarur nga e gjithë bota kanë shumë për të ofruar dhe ne shpresojmë që thjeshtëzimi i procesit për t’u bashkuar me rezidencën elektronike (e-rezidenca) do të inkurajojë më shumë prej tyre që të na zgjedhin ne për të ndihmuar në rritjen e kompanive të tyre”, – thuhet në strategji.

I njëjti dokument nënvizon se projekti i rezidencës mund të jetë një hap i rëndësishëm për tërheqjen e nomadëve dixhitalë në vendin tonë, bashkë me shumë mundësi të tjera që vendi ofron si aplikimi në internet për viza, viza e paguar dhe e lëshuar online, platforma e-albania, faqe web-i për turizmin, sistemi i transportit, hubet dixhitalë dhe hapësirat e bashkëpunimit, lidhja dhe shpejtësia e internetit në telefon, kostoja telefonike, prania e mediave sociale, 5G që vjen së shpejti etj.

“Stili i jetesës së nomadit dixhital ka të bëjë me lirinë për të zgjedhur stilin e jetesës dhe vendndodhjen e tij. Interneti na ka ofruar një mënyrë për t’i siguruar shërbimet online dhe të jemi të pavarur nga vendndodhja.

Krijimi i një kompanie si një nomad dixhital është një fillim mjaft sfidues – krijimi dhe drejtimi i kompanisë me ndihmën e mundësia më e mirë që mund të arrijë një kompani për të qenë plotësisht e pavarur nga vendndodhja. Rastet e përdorimit në vende të ndryshme tregojnë se nomadët dixhitalë shpesh preferojnë vendbanime jashtë zonave urbane.

Në këto raste, një nga çështjet më të mëdha që ata përballen është lidhja me internetin, duke qenë se kërkojnë internet të shpejtë e të besueshëm për të drejtuar bizneset e tyre.

Gjithashtu një problem tjetër për ta është mundësimi i shërbimeve të besueshme të kujdesit shëndetësor. Këtu, thelbi është përdorimi i zgjidhjeve remote të kujdesit shëndetësor (në të cilën BE po fokusohet shumë)”, – nënvizon strategjia./Monitor/

Pas