Aktualitet

I vuri gjobë kolegut që lëvizte pa patentë, polici transferohet në Memaliaj


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:05 - 31/03/22 |
Opi Nion

Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt qytetit të Korçës për problemin e nënkomisariatit Aldi Bylykut me pozicion specialist i trafikut rrugor. Ai tregon se në datën 24 Janar 2022 në kryqëzimin e Çifligut është ndaluar një mjet që drejtohej nga punonjësi i policisë i komisariatit të Maliqit, Nefail Muçollari.

Ky i fundit është konstatuar pa patentë të vlefshme dhe ndaj tij është marrë masë admnistrative. Por një ditë më vonë, Aldi Bylyku është thirrur nga drejtori i policisë Korçë, Gjovalin Loka dhe është pyetur mbi këtë situatë.

Dy ditë më pas drejtori ka propozuar transferimin e Aldi Bylykut në Memaliaj. Këtë transferim Aldi e lidh me ndëshkimin që i bëri efektivit të policisë së Maliqit.

Gazetarja: Na shpjegoni se çfarë ndodhi në këtë vend, në këtë datë?

Aldi Bylyku: Në datën 24 Janar kam qenë me shërbim në qytetin e Korçës dhe kam pasur një patrullë qarkullimi pikërisht në këtë vend. Kam ardhur për t’i kontrolluar punonjësit e qarkullimit dhe në një moment këtu ka qenë duke kaluar një automjet si të gjithë drejtuesit e tjerë. Punonjësit e mi të qarkullimit i kanë dhënë sinjalin për t’u ndaluar, i kanë hapur krahun dhe e kanë ndaluar për t’i verifikuar pjesën e dokumentacionit. Gjatë kontrollit të automjetit dhe dokumentacionit, ka rezultuar se drejtuesi ishte një punonjës policie, të cilit i kishte mbaruar afati i lejes së drejtimit. Punonjësit e qarkullimit i kanë bërë verifikimet e duhura, kanë kontrolluar tek sistemi i gjobave që kemi ne dhe më pas kanë marrë masa administrative. Unë kam qenë prezent gjatë gjithë kohës. Janë këshilluar me mua dhe u kam thënë që të vazhdojnë sipas procedurave standarde dhe të vazhdojnë me pjesën e masës administrative sipas kodit rrugor.

Gazetarja: Për kë punonjës policie bëhet fjalë dhe cili është pozicioni i tij?

Aldi Bylyku: Bëhet fjalë për një punonjës policie të komisariatit Maliq, një inspektor zone, Nefail Muçollari, i cili e ka pasur lejen e drejtimit të skaduar.

Gazetarja: Një ditë më pas, në datën 25 Janar 2022, Z.Bylyku jeni thirrur në një takim me drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, çfarë ndodhi në këtë takim?

Aldi Bylyku: Një ditë më pas jam thirrur tek zyra e drejtorit të policisë, aty më ka pyetur nëse një ditë më përpara kam qenë në punë ose jo. I kam shpjeguar se kam qenë në shërbim. Më pyeti për rastin që i është vendosur masë administrative një punonjësi policie. Ia kam shpjeguar rastin, i kam thënë që është në shkelje të Kodit Rrugor.

Gazetarja: Ka ndonjë rregullore të brendshme në polici që ju të keni tolerancë me kolegët?

Aldi Bylyku: Jo, aspak. Kodi Rrugor është për të gjithë dhe ligjet dhe aktet në fuqi.

Gazetarja: Çfarë ndodhi më pas?

Aldi Bylyku: Më tha që të largohem nga zyra dhe jam larguar më pas pa ditur asnjë arsye dhe asnjë gjë.

Gazetarja: Por nuk përfundoi me kaq apo jo?

Aldi Bylyku: Një ditë më pas është bërë propozim për largimin tim nga Drejtoria e Qarkut Korçë për t’u larguar në Drejtorinë e Qarkut Gjirokastër.

Gazetarja: Do të shkoje atje si specialist i rrugores?

Aldi Bylyku: Jo, për specialist i hetimeve të krimeve dhe motivacioni ishte nevoja pune.

Gazetarja: Çfarë nënkupton nevoja pune?

Aldi Bylyku: Kjo bie ndesh me ligjin e Policisë së Shtetit mbi tranferimin. Së pari, duhet të kesh mbushur një afat 2-vjeçar në punën e fundit që ke bërë, ndërkohë që unë kisha 1 vit e gjysëm. Së dyti është largësia nga familja.

Gazetarja: Pasi jetoni këtu në Korçë?

Aldi Bylyku: Po, jetoj në Bilisht dhe rregullorja e Policisë së Shtetit e ka që duhet të jesh të paktën brenda qarkut. Në vlerësimin e punës unë kam pasur rezultate mjaft të mira. Motivacioni i lëvizjes sime nuk më është komunikuar asnjëherë, për çfarë arsye më kanë lëvizur.

Gazetarja: Ju e keni lidhur të gjithë këtë situatë, këtë traSferim me ngjarjen e datës 24 Janar 2022 apo jo?

Aldi Bylyku: Po, sepse më ka ndodhur një ditë më mbrapa dhe në datën 28 Janar mua më ka ardhur transferimi i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kam pasur një takim me disa përfaqësues të Drejtorisë, të cilët erdhën dhe më takuan në Korçë dhe çështja është se ata më thanë që duhet të rehabilitohesh disa kohë, rreth 4-5 muaj, kjo është porosia e drejtorit dhe unë duhej t’i kërkoja falje drejtorit të qarkut Korçë për veprimin që kisha kryer dhe më pas ai të më kthente prapë.

Gazetarja: Cilin veprim?

Aldi Bylyku: Nuk e di pse duhej t’i kërkoja falje.

Gazetarja: Rehabilitohu tani, Z.Bylyku dhe mëso që kolegët, miqtë e drejtorit nuk preken, dakord?!

“Stop” takoi policin e gjobitur Nefail Muçollari i cili lëvizte prej 6 muajsh me patentë të skaduar i cili tha se nuk ishte ankuar, por kishte pranuar gjobën. Pyetjeve të gazetares, Muçollari iu përgjigj duke i thënë, se do të bënte kallëzim për të në prokurori.

Gazetarja: Ju keni marrë një gjobë, duke iu referuar Kodit Rrugor!

Nefail Muçollari: Okej! S’jam ankuar unë.

Gazetarja: Nuk je ankuar?

Nefail Muçollari: Jo!

Gazetarja: Nuk jeni në dijeni, që pas kësaj situatës tuaj, ka patur një transferim të punonjësit të policisë?

Nefail Muçollari: S’di gjë për këtë punë unë. S’merrem me këtë punë.

Gazetarja: Pse keni lëvizur pa patentë për 6 muaj, deri në momentin, që ju ka ndaluar postblloku?

Nefail Muçollari: Nuk e kam vënë re, moj zonjë!

Gazetarja: Ju pretendoni, që veprimi ka ardhur pas datës 2 Janar, që ka ndodhur kjo situata.

Nefail Muçollari: Për hakmarrje, punonjësi i policisë e ka bërë këtë punë.

Gazetarja: Ju vazhdoni të jeni në Komisariatin e Maliqit, ku edhe banoni, apo jo?

Nefail Muçollari: Jo s’banoj këtu unë.

Gazetarja: Ku banoni?

Nefail Muçollari:Unë banoj 44 km nga Maliqi.

Gazetarja: 44 km nga Maliqi, i bie, që ju e keni bërë çdo ditë këtë rrugën…

Nefail Muçollari: Po, përditë!

Gazetarja: Për 6 muaj dhe nuk ju ka rënë në sy, një herë të vetme, patenta e skaduar?

Nefail Muçollari: Po nuk e kam pa, moj burrneshë..! Çudi!

Gazetarja: Ju keni treguar dokumentin e policisë si fillim dhe më pas patentën.

Nefail Muçollari: Kur isha me uniformë…

Gazetarja: Kur ishit me uniformë, nuk ju ka ndaluar njeri.

Nefail Muçollari: Ti edhe më thua me uniformë policie do të tregoj patentën, do tregoj dokumentin e policisë. Shkon ajo?

Gazetarja: Jo, s’ka nevojë.

Nefail Muçollari: E pse më pyet atëherë?

Gazetarja: Ke të drejtë! Ju keni qenë më të fuqishëm! Kjo nuk ka diskutim!

Nefail Muçollari: Zonjë e nderuar! Unë do të bëj një kallëzim për ty në Prokurori! Unë do bëj një kallëzim për ty sot, që po më provokon.

Gazetarja: Unë mora informacion, që ishit pushim sot, ju telefonova, sepse e dija, që ishit pushim. U vetëofruat për t’u takuar dhe ja ku jemi përballë. Në qoftë se do të bësh denoncim, je i hapur, për të bërë çfarëdolloj denoncimi.

Nefail Muçollari: Po do të bëj!

Ndërkohë, Aldi Bylyku beson dhe shpreson shumë që fjala e tij të dëgjohet dhe të rikthehet në punë në Korçë.

Gazetarja: Sapo mbaruam një takim me shefin Nefail Muçollarin, i cili pretendon që veprimet që janë ndjekur në datën 24 Janar 2022 janë një formë hakmarrjeje nga ana juaj pas një konflikti verbal me një të afërm tuajin në datën 2 Janar. Cili është komenti juaj?

Aldi Bylyku: Këto janë veprime që mund të verifikohen shumë lehtë dhe ka institucione brenda policisë, të cilët me rastin konkret e kanë verifikuar mesa di unë. Nëse unë do ta kisha si një shenjë hakmarrjeje, mund të kisha kontaktuar shumë herë më shpejt me Nefailin, ndërkohë që unë atë ditë kam qenë në kohën dhe vendin e gabuar.

Gazetarja: Ndërkohë që prej datës 1 Shkurt është fakt i kryer tashmë trasferimi juaj në Komisariatin e Memaliajt, në Drejtorinë e Gjirokastrës. Na thuaj pak. Si mund të ia bësh të shkosh nga Bilishti drejt Memaliajt çdo ditë?

Aldi Bylyku: Shpenzimet janë të tepërta sepse është e vështirë dhe largimi nga shtëpia sepse unë kam dhe dy prindër pensionistë në Bilisht.

Gazetarja: Ndërkohë, puna në Memaliaj, do të jetë çdo ditë nga e hëna në të premte apo jo?

Aldi Bylyku: Po, çdo javë e çdo ditë.

Gazetarja: Supozojmë se do të shkosh me automjetin tënd, sa është kostoja?

Aldi Bylyku: Shkon realtivisht lart pasi duhet dhe një shtëpi banimi aty sepse nuk përballohet çdo ditë rruga. Besoj se fjala ime do të merret parasysh tek drejtori i përgjithshëm dhe besoj se do të rikthehem së shpejti. Do të doja që fraza “nevoja pune” të hiqet nga termi i Policisë së Shtetit dhe nga transferimet e punonjësve të policisë./  Tv Klan

Pas