38-vjeçari, Febjus (Dritan) Dauti, i cili ishte shpallur në kërkim prej vitit 2015 është vënë në pranga nga policia. Dauti, akuzohet për tentativë të trafikimit të lëndës plasëse.
Më 17 janar të 2015, ai së bashku me 3 shtetas të tjerë u konstatuan duke transportuar 3 kallëpe lënde plasëse. Policia vendosi në pranga bashkëpunëtorin e tij Bledar Plaku, më 18 tetor 2022.
Ndërkaq këtë të hënë është arrestuar edhe 38-vjeçari, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim.
“Lokalizohet dhe vihet në pranga nga Komisariati i Policisë Durrës, një i kërkuar tjetër për tentativë për trafikim të lëndëve plasëse.
Shërbimet e Policisë, mbështetur nga inteligjenca informative, mbi vendndodhjet e një shtetasi të kërkuar, bënë lokalizimin dhe ndalimin e Febjus (Dritan) Dautit, 38 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim”-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.