Kryesore

Hoti: I kënaqur nga koordinimi i BE me SHBA për marrëveshjen finale


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:12 - 06/09/20 |
Al Do

Një ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, liderët nga Kosova dhe Serbia kanë pasur takime të ndara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Matthew Palmer.

Këta dy zyrtarë të BE-së dhe të Departamentit amerikan të Shtetit kanë zhvilluar një takim të përbashkët fillimisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e më pas janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook shprehet “i kënaqur”, për koordinimin e BE dhe SHBA, lidhur me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot ne Bruksel takuam Emisarin Special te BE-se per dialog ne mes te Kosoves dhe Serbise, Mirosllav Lajcak, dhe Zevendes Ndihmes Sekretarin e Departamentit te Shtetit te SHBA-ve, Matthew Palmer. Diskutuam per zhvillimet ne dialog deri me tani dhe takimin e neserm te nivelit te larte. Jam shume i kenaqur qe po shoh koordinim te plote ne mes te BE-se dhe SHBA-se lidhur me marreveshjen finale ne mes te Kosoves dhe Serbise.“, shkruan Hoti.

Takimet të shtunën dhe të dielën në Bruksel në nivel të ekspertëve, si dhe takimet e përbashkëta me dy liderët, kanë pasur për qëllim përgatitjen e terrenit që të arrihet pajtim të hënën në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pritet që Hoti dhe Vuçiç të pajtohet për temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve, tema për të cilat është diskutuar tashmë në tri runde të bisedimeve.

Po ashtu të hënën, më 7 shtator, pritet të hapen edhe çështjet që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe si dhe çështjet e kontesteve pronësore e financiare që i kanë palët ndaj njëra-tjetrës. Këto tema pritet të jenë mjaft të vështira në procesin e dialogut, pasi që palët i kanë qëndrimet shumë larg njëra-tjetrës.

Pala kosovare vazhdon të insistojë se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet në mënyrë të veçantë pa u përmbyllur marrëveshja finale, e cila do të nënkuptonte dhe njohjen e ndërsjellë./ Opinion.al

Pas