Aktualitet

Hapja e shkollave/ Shahini flet për qëllimin kryesor, konsultimet vijojnë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:27 - 25/08/20 |
Al Do

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka njoftuar sot përmes një statusi në Facebook, se kanë vijuar konsultimet me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, sindikatat e arsimit dhe organizata të ndryshme – me qëllim krijimin e kushteve sa më të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor.

Sipas asaj që shkruan Shahini, nga ana e ministrisë në këto konsultime kanë marrë pjesë Zëvendësministrja Nina Guga, drejtorët Zamira Abazi Gjini, Selman Hodaj dhe Gerti Janaqi.

Nuk bëhen të ditura detajet mbi diskutimet e kryera dhe vendimet e marra për rifillimin e procesit mësimor.

Ministrja Shahini thotë se “qëllimi kryesor për vitin e ri shkollor, është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve”.

Deri tani dihet se mësimi në arsimin parauniversitar do të nisë më 14 shtator.

Mësimi do të zhvillohet nën rregulla të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Nxënësit do të qëndrojnë në klasë me maska, në një largësi 1.5 metra nga njëri tjetri.

Klasat e mëdha pritet që të kenë maksimumi 17 nxënës.

Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave dhe zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zamira Gjini, tha dje se në disa shkolla të vendit orët e mësimit do të jenë 30 minuta.

Në shkollat e mëdha mësimi mund të zhvillohet i plotë pa turne. Për ndonjë lëndë, ose modul, mësimi mund të zhvillohet online ose në mjedise të hapura, sqaroi ajo.

Pushim të gjatë për fëmijët nuk do të ketë dhe shkollat do të dezifektohen nga një turn në tjetër.

Mënyra e organizimit të mësimit në shkolla do të vendoset nga drejtori i shkollës, në varësi të madhësisë së klasave dhe numrit të nxënësve. /Opinion.al

Pas