Policia e Tiranës arrestoi rojen e një banke ku ndodhi një grabitej ditën e djeshme.
Ai akuzohet se nuk ka vepruar në momentet e grabitjes për të neutralizuar autorin. Ndërkohë, autori ndodhet ende në arrati.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.
Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

















